Dita Ndërkombëtare e Gruas në pullë postare
Prishtinë, 8 mars - Me rastin e shënimit të 100 vjetorit të Ditës së Gruas, Filatelia e PK PTK sh. a ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e pullës me titull Elena Gjika -100 vjetori i Gitës së Gruas.
Kjo pullë postare që do ta shënoj, para së gjithash, jubileun e 100-të të lëvizjes për njohjen e të drejtave të grave dhe barazi gjinore, mban portretin e Elena Gjikës, princeshës rumune me origjinë shqiptare.
E lindur ne Romë më 22 Janar 1828, Elena Gjika u radhit në mesin e 10 femrave më të ngritura të asaj kohe në botë. Shkrimtare dhe publiciste përparimtare e asaj kohe, Elena Gjika ka dhënë kontribut të madh dhe të jashtëzakonshëm në lobim për çështjen shqiptare në qarqe evropiane.
Me emetimin e emisionit të pullave postare që e shënon 100 vjetorin e Ditës së Gruas, PTK sh. a. i shpreh mirënjohje dhe falënderim të gjitha nënave dhe motrave tona të cilat dhanë një kontribut të pamohueshëm në të gjitha sferat e jetës.
Shikuar historikisht gratë kosovare arritën që me shumë sakrifica dhe me një fuqi mbinatyrore të rrisin gjenerata të shëndosha të rinjsh. Sot, gruaja kosovare është e pazëvendësueshme jo vetëm si nënë e motër, por si krijuese dhe punonjëse, e cila jep kontribut në të mirën e atdheut. Unë personalisht jam krenar që në PTK sh. a. janë të punësuara 806 femra, kontributi i të cilave në afarizmin e suksesshëm të kompanisë është tejet i vlerësuar, është shprehur me këtë rast, Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Dr. Shyqyri Haxha.
PTK të gjitha grave të Kosovës iu uron Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsin, duke iu dëshiruar shumë suksese në të ardhmen.
Filatelia e PK PTK sh.a. këtë datë me rëndësi e shënon me emisionin e ri të pullave postare dhe që nga data e emetimit do të jenë në dispozicion për koleksionarë të pullave postare.