Dita e Evropës shënohet me pullë postare
Prishtinë, 6 maj - Me rastin Ditës së Evropës, 9 Majit, Filatelia e Postës së Kosovës do të lëshojë në qarkullim të rregullt postar emisionin e pullave postare me titull, Evropa 2011 Pyjet.
Tematika e përzgjedhur nga Unioni Evropian Postar, promovon bukuritë e hapësirave të mbuluara me pyje në vendet evropiane.
Republika e Kosovës ka të mbuluar rreth 42 përqind të territorit të saj me florë të begatshme, ku pjesë dërmuese e florës janë pyjet, ndër to më të njohurat janë pyjet e Sharrit, Gjeravicës, Bjeshkëve të Nemuna, të Gollakut, Pashtriku, Korintikut, etj.
Këto zona paraqesin vlera të veçanta botanike, faunistike, ekologjike, turistike, rekreative, sportive, edukative dhe kulturore të Republikës së Kosovës.
Ky emision, përveç të tjerash, paraqet edhe një kontribut të radhës së PTK në promovimin e bukurive natyrore të shtetit të Kosovës.
Koleksionarët e pullave postare, me pulla postare dhe blloqe filatelike nga ky emision mund të furnizohen që nga data 9 Maj 2011, në të gjitha zyret postare të PTK.