Dështon afati i nënshkrimit të kontratës për privatizimin e PTK-së
Prishtinë, 13 gusht - Dështon edhe afati tjetër i nënshkrimit të kontratës për privatizimin e 75 % të aksioneve të PTK-së. Konsorcioumi fitues Axos & Najafi companies, nuk ka përfillur as afatin e paralajmëruar vetë, datën e sotme 13 gusht.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik që udhëheq me privatizimin e këtij gjigandi ekonomik deri më tani nuk ka dhënë ndonjë sqarim se çfarë po ndodhë me procesin.
Nuk ka dal të jetë e vërtetë data që ka shpallur dy javë më parë Robert Wood, shefi i kompanisë fituese të privatizimit të PTK-së se gjithçka do të jetë gati për datën 13 gusht. Ky konsorcium nuk ka qenë gati as për datën e sotme të nënshkrimit të kontratës.
Data e përcaktuar sipas afateve ligjore për nënshkrimin e kontratës ka qenë me 17 korrik por, ky konsorcium për arsye që nuk i ka bërë të njohura nuk ka qenë gati në këtë kohë. Pas kësaj Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes një njoftimi jo shumë sqarues tregonte se i janë dhënë edhe 3 javë të tjera afat kësaj kompanie dhe se procesi po shkon në rregull dhe nuk ka arsye për dyshime.
Në një përgjigje elektronike për Radio Kosovën dhe në një intervistë të mëhershme po ashtu për RTK kreu i kompanisë Robert Wood ka folur bindje të plotë se i kanë të gjitha mjetet për ta përmbyllur procesin në kohë. Ai gjithashtu ka folur për një plan tejet ambicioz që parasheh investime nga 120 deri në 150 milionë euro investime në 5-6 vitet e para të operimit.
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismaili, sipas Kohës Ditore i ka dërguar një njoftim kësaj kompanie se kërkesat e tyre për ulje të çmimit nuk do të merren parasysh.
Axos pasi ka arritur fillimisht të marr premtimin për zbritje të çmimit prej 20 milionë eurosh me licencat 3G ka vazhduar ka kërkuar që çmimit prej 277 milionë euro ti zbriten në total 90 milionë euro.
Të kontaktuar rreth kësaj çështje deri më tani nuk kanë folur ministri Fadil Ismaili dhe as zëvendësi i tij Gani koci. Ndërsa këshilltari Iiministrit Adriatik Berisha ka thënë se për këtë situatë do të ketë sqarime më vonë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.
/RTK/