Dëshmorët Lleshi në pullë postare
Gjakovë, 7 gusht - Posta e Kosovës ka lëshuar të premten në qarkullim pullën postare e cila u kushtohet katër dëshmorëve të familjes Lleshi: Markut, Prendit, Kolës dhe Memës të cilët ranë heroikisht në luftën e UÇK-së për liri dhe pavarësi të Kosovës.
Kjo pullë postare është promovuar sot në Akademinë Përkujtimore që është mbajtur nën patronatin e kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila. Kryetarja e Gjakovës ka folur për kontributin dhe heroizmin e familjes Lleshi gjatë luftës çlirimtare.
Ndërkaq, për pullën postare me imazhin e katër dëshmorëve ka folur Halit Isufi, kryesues i Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës.
Marku, Prendi, Kola dhe Mema ishin luftëtarë të orëve të para. Jehona e pushkëve të tyre nuk pushoi asnjëherë, deri në rënien e tyre në fushën e nderit. Rrëfimi për trimërinë e tyre nuk do të zbehet kurrë. Sakrifica e familjes Lleshi është treguesi më i mirë se sa e shtrenjtë ka qenë rruga drejt lirisë dhe pavarësisë, ka thënë Isufi.
Ne sot po nderojmë veprën e katër dëshmorëve të familjes Lleshi, mirëpo, njëkohësisht, ne po e nderojmë edhe kompaninë tonë sepse me këtë pullë postare po e rrisim vlerën e Filatelisë së Postës së Kosovës, ka theksuar ai.
Në shenjë respekti, kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha, i ka dhuruar familjes Lleshi pullën postare e punuar në pllakë bronzi. Ai përmendi edhe pulla tjera postare që janë emetuar në të kaluarën për heronjtë dhe dëshmorët tjerë të kombit.
Në këtë Akademi që është mbajtur në Shkollën e Muzikës Prenk Jakova, është shfaqur një program artistik si dhe një dokumentar për jetën dhe veprën e dëshmorëve të familjes Lleshi.
Në emër të familjes së dëshmorëve, të pranishmit i ka përshëndetur dhe falënderuar, Gegë Lleshi. Familja Lleshi, që njihet edhe si familja Markalleshi, është nga fshati Vraniq i Gjakovës.
Misioni i Filatelisë së Postës së Kosovës është që përmes emetimit të pullave postare të promovojë vlerat kombëtare, historike, kulturore, shkencore, sportive, e të tjera.