Deri në 2035, të gjitha automjetet në Kaliforni do të jenë me energji elektrike ose hidrogjen
Kaliforni, 26 gusht - Bordi i Burimeve Ajrore të Kalifornisë (CARB) miratoi të enjten një rregullore historike e cila kërkon që 35 për qind e të gjitha automjeteve të reja që do të shiten në shtet të jenë elektrike ose me hidrogjen deri në vitin 2026 dhe 100 për qind deri në 2035.
Sipas gazetës "Sacramento Bee", për vetëm 13 vite, rregullorja do t'i japë fund shitjes së makinave të reja me benzinë ââose naftë në Kaliforni.
"Kjo është transformuese", tha Daniel Sperling, anëtari i bordit të burimeve ajrore, duke shtuar se shembulli i Kalifornisë pritet të ndiqet nga shtete të tjera që kanë një agjendë të fuqishme të energjisë së gjelbër.
Plani i CARB rrit numrin e makinave të reja, kamionëve dhe automjeteve SUV që duhet të jenë me energji elektrike ose hidrogjen në 35 për qind deri në vitin 2026 dhe të arrijë në 51 për qind të të gjitha shitjeve të automjeteve të reja deri në 2028 dhe 68 për qind në 2030, deri në finalizimin prej 100 për qind në vitin 2035.
Pavarësisht se miratimi i rregullores u mirëprit në shkallë të gjerë, industria e automjeteve dhe disa grupe biznesi shprehën shqetësimet e tyre për zbatimin efektiv të saj dhe koston e lartë për prodhuesit dhe blerësit.
"Prodhuesit e automjeteve mund të kenë vështirësi të konsiderueshme për të përmbushur objektivat e vendosura, duke pasur parasysh elementë që nuk janë në kontrollin e industrisë", citohet të këtë thënë nga "Sacramento Bee" Laurie Holmes, menaxhere e lartë për çështjet qeveritare dhe rregullatore për prodhuesin e automjeteve Kia.
"Këto përfshijnë, por nuk kufizohen në, kosto materiale dukshëm më të larta, zinxhirin e trazuar të furnizimit dhe burimet, stimujt e paqëndrueshëm të konsumatorëve dhe infrastrukturën e papërshtatshme të karikimit".
Çmimi mesatar i tregut për makinat elektrike është mbi 60 mijë dollarë, shumë më i lartë se automjetet me benzinë ose naftë.