23 Dhjetor 2024

Dëmtohet rrethrrotullimi i Prishtinës

Prishtinë, 23 dhjetor - “Plasaritjet në rrugë ishin të parashikuara në projekt”. Kështu e arsyeton Ministria e Infrastrukturës çarjen e asfaltit në rrethrrotullimin kryesor të Prishtinës vetëm 2 muaj pasi u lëshua për qarkullimin e automjeteve.

Ky projekt është investim i qeverisë së Kosovës i cili ka kushtuar 14 milionë euro, ndërkaq konsiderohet i rëndësisë së vecantë sepse shërben si pikë lidhëse për të gjitha qëndrat e Kosovës.

Plasaritjet dhe carjet gjithë andej rrethit, kanë ngritur dyshimet për cilësinë e asfaltit të shtruar. Por problemi, sipas Ministrisë së Infrastrukturës është diku tjetër. Drejtori i departamentit të rrugëve në këtë ministri Lahudin Myrtaj arsyeton gjithcka me faktin se kontraktuesi nuk i ka vënë akoma pajisjet metalike të cilat lidhin urën me asfaltin rrugor poshtë saj.

Çka do të thotë se kontraktuesi e ka asfaltuar këtë rrugë sikur të ishte në tokë e jo mbikalim. Myrtaj jep edhe arsyetimin tjeter se rrethi është lëshuar për qarkullim  para kohe për të liruar qarkullimin e ngarkuar në Prishtinë.

E gjithë kjo situatë bën që rrethrrotullimi në dalje të Prishtinës t’i nënshtrohet edhe një ndërhyrjeje tjetër.

Kompania ndërtuese ka vendosur që pas vitit të ri në mënyrë të pjesshme, varësisht se ku do të vendosen pajisjet amortizuese, ta ndërprese komunikacionin.

E teksa makineritë e kontraktuesit shihen në lëvizje edhe në një ditë të ftohtë dimri, as ministria e as presidenti i kompanisë kontraktuale nuk mund të thonë me saktësi se kur ky projekt do të përfundojë së realizuari.

/tch/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)