Dallavere me testet e patentë-shoferëve
Prishtinë, 17 maj - Tre zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës kanë keqpërdorur tekstin e provimit zyrtar të kësaj ministrie për patentë shoferë, duke e konvertuar atë në libër, përkatësisht në doracak për kandidatët që duan të përgatiten për të marrë patentë shoferin.
Drejtori i Departamentit të Automjeteve, Nebih Shatri, së bashku me dy kolegët e tij, Jakup Hoti dhe Habib Hasani, para pak kohësh, kanë nxjerrë në treg doracakun në të cilin janë futur dhjetëra situata të ilustruara me fotografi nga teksti që përmban pyetjet me të cilat ballafaqohen kandidatët kur hyjnë në provimin me shkrim për patentë shofer.
Duke i kopjuar fotografitë dhe situatat nga testi në fjalë në doracakun Rregullat e Komunikacionit dhe Sigurisë, zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës kanë vepruar në kundërshtim me vendimin nr. 2263/2012 të ish-sekretarit të kësaj ministrie, Çerkin Dukolli, me të cilin ndalohet keqpërdorimi i përmbajtjes së testit për patentë shofer.
Ndalohet çdo lloj forme e publikimit, kopjimit dhe shpërndarjes (së testit) pa autorizimin e ministrisë. Të gjithë personat fizik dhe juridik të cilët dëshirojnë ti përdorin pyetjet për qëllime komerciale apo forma tjera për përfitime, janë të obliguar të paraqesin kërkesë në ministri për aprovim. Ministria ia cakton shumën për kompensim, e cila paguhet në xhirollogarinë e ministrisë, thuhet në pikën dy, tre dhe katër, të vendimit që është nënshkruar me 23 qershor të vitit të kaluar.
Zyrtarët vepruan kundërligjshëm
Botimi i doracakut nga zyrtarët qeveritar, duke kopjuar pjesë të caktuara nga testi për patentë shoferi, i cili gjithashtu është pronë e Ministrisë së Infrastrukturës, nga komuniteti i autoshkollave cilësohet si vepër e paligjshme dhe si veprim që shfaqë konfliktin e interesit të zyrtarëve të kësaj ministrie.
/Zëri/