Çohu: Tenderi i privatizimit të PTK ka qënë i kurdisur
Prishtinë, 20 nëntor - Organizata për Demokraci Antikorrupsion dhe Dinjitet Çohu, ka publikuar një analizë rreth dështimit të privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës.
Në bazë të analizës, arsyet kryesore për dështimin e privatizimit të ndërmarrjes më fitimprurëse në Kosovë, janë konflikti i interesit dhe korrupsioni.
Hulumtimi po ashtu vlerëson se largimi i Telekomit të Kroacisë është bërë pasi kompania kroate ka marrë vesh se tenderi do ti jepet Telekomit të Austrisë, pavarësisht nëse do të përmbushen apo jo kriteret e parapara.
Avni Zogiani, drejtues i organizatës Çohu, ka deklaruar tenderi për shitjen e PTK-së ka dështuar, pasi që Hrvatski Telekom ka qenë i bindur që fitues i tenderit për blerjen e PTK-së në fund do të dal Telekom Austrian AG.
Kjo kompani ka ikur nga gara pasi sipas tij e ka parë tendencën e qeverisë që me çdo kusht PTK-në tia jap Telekom Austrian AG. Ikja e Hrvarski Telekom nga gara ka bërë që tenderi për shitjen e PTK-së të dështojë në fazën e para-kualifikimit.
"Tenderi për shitjen e PTK-së ka dështuar pasi që qeveria është munduar të përmbushë kërkesat e kompanisë që ka një histori në tregun e telekomunikimit në Kosovë, Telekom Austrian AG. Më 2007, Telekom Austrian AG, ka qenë njëri prej pretendentëve për ta fituar licencën për operatorin e dytë të telefonisë mobile në Kosovë. Pasi humbi garën për të marrë licencën për telefoninë e dytë mobile, kjo kompani ndërmori nisma ligjore kundër autoriteteve të Kosovës, për shkak të shkeljeve të procedurave të tenderimit. Prej atëherë e deri më tani, ky rast i paraqitur nga Telekom Austrian AG, asnjëherë nuk është shqyrtuar nga drejtësia", ka thënë Zogiani.
Në atë kohë, si përfaqësues i Austrian Telekom AG në Kosovë, për ta fituar licencën e operatorit të dytë të telefonisë mobile, ka qenë pikërisht këshilltari i qeverisë për privatizimin e PTK-së, Tibor Kartik nga Telco Ag dhe Wolf Theiss.
Pse u largua Hrvatski Telekom nga gara?
Meqë largimi i Hrvatski Telekom d.d dërgoi në kolaps automatik tenderin për shitjen e PTK-së, arsyet pse sollën këtë kompani deri tek ky vendim ishin shumë të rëndësishme për publikun. Në disa prononcime për media, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë që arsyeja kryesore e tërheqjes së Hrvatski Telekom është dështimi i kësaj kompanie, gjegjësisht principalit të saj Deutche Telecom, që të shesë aksione në Amerikë.
Vetë kompania, në anën tjetër, jep një arsyetim tjetër zyrtar. Arsyet pse po largohemi janë akuzat për korrupsion ndaj menaxhmentit të PTK-së, thonë zyrtarisht nga Hrvatski Telekom.Ne kemi deklaruar se T-HT është duke e shqyrtuar pjesëmarrjen e saj në procesin e privatizimit për shkak të akuzave ndaj menaxhmentit të PTK-së, të dyshuar për korrupsion, kanë thënë zyrtarët e telekomit kroat për ÇOHU!.
Mirëpo, persona të afërt me përfaqësuesit e kroatëve në Kosovë, kanë bërë me dije se prej përgatitjes së raportit nga këshilltari i transaksionit Telco AG dhe përparësisë indirekte që i ka dhënë qeveria Telekomit Austriak, ka bërë që Hrvatski Telekom të largohet nga gara.
Në një incizim, të siguruar nga COHU!, të një bisede private mes drejtorit të PTK-së, Shyqyri Haxha dhe Sinisha Gjyranoviq, zyrtar pranë telekomit Kroat, të dyja palët flasin për arsyet e largimit nga gara të operatorit kroat. Haxha ka kërkuar sqarim nga ata nëse kanë thënë se menaxhmenti është i korruptuar, duke e vlerësuar si deklaratë që mund ti shkaktojë dëm sidomos në prag të procesin gjyqësor të nisur kundër tij.
Ndërkohë, që përfaqësuesi kroat thotë se ata kanë kërkuar rreth dy muaj më parë nga Qeveria që ta pezullojë procesin derisa të sqarohet çështja e akuzave ndaj menaxhmentit të PTK-së për korrupsion.
Nuk kemi deklaruar se ju jeni të korruptuar asnjëherë, por kemi thënë që duhet ndërprerë njëherë procesi derisa të sqarohen dyshimet dhe akuzat, ne nuk e kemi ditur se do të mbahet seancë gjyqësore dhe nuk kemi pasur asnjë qëllim që tju shkaktojmë problem, ne nuk duam të paragjykojmë, i ka thënë përmes telefonit Gjyranoviq, drejtorit të PTK-së Haxha.
Nga kjo bisedë telefonike mësohet se kroatët kanë kërkuar nga Qeveria pezullimin e procesit të shitjes së PTK-së, por përkundër këtyre kërkesave, është vazhduar me procesin e privatizimit të PTK-së, deri sa Hrvatski Telekom zyrtarisht tërhiqet nga gara.
Burimet nga Hrvatski Telekom thonë se arsyeja e vërtetë e dështimit të privatizimit të PTK-së ka të bëjë me dyshimet se procesi i shitjes së kësaj kompanie ka qenë i kurdisur dhe për këtë, Hrvatski Telekom është tërhequr nga gara.
Hrvatski Telekom e ka parë tendencën që Qeveria është duke e përkrahur Telekom Austria me faktin që Këshilltari i Transaksionit më 2007 ka qenë përfaqësues i Telekom Austria për tenderin e dytë të telefonisë mobile, dhe po i njëjti ka qenë i angazhuar nga Qeveria si Këshilltar për privatizimin e PTK-së, thotë për COHU! në kushte anonimiteti, një përfaqësues i Hrvatski Telekom.