Çohu!: ACP Axos Capital Partners - blerës formal por jo real
Prishtinë, 19 prill - Orgnizata Çohu! ka vlerëuar se privatizimi i kompanisë publike më fitimprurëse në Kosovë, Posta dhe Telekomi i Kosovës PTK, është bërë nën presion, me thyerje të ligjeve dhe kushteve të parapara, si dhe është përshkuar me mungesë të theksuar të transparencës.
Mënyra se si Komisioni Qeveritar për Privatizim (KQP), e ka trajtuar gjithë procesin e privatizimit të PTK-së, qysh nga zanafilla e tij, sipas kësaj organizate tregon se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur si qëllim valorizimin e PTK-së, por tregtimin e saj për të përmbushur borxhe të së shkuarës, si dhe për të shfrytëzuar këtë mundësi për zhvatje duke përfshirë në këtë proces kapital që po i fshihet prejardhja.
Hulumtimi i Organizatës Çohu! dhe Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese, hedhë dyshimin se lideri i konzorciumit fitues të PTK-së, ACP Axos Capital Partners në fakt nuk është blerësi real i PTK-së, por vetëm ai formal.
Hulumtimi ka ardhur në dy përfundime të mundshme mbi mundësinë se kush realisht qëndron mbrapa fondit investues ACP Axos Capital Partners.
Mundësia e parë ka të bëjë me faktin që njëra ndër kompanitë që qëndron mbrapa ACP Axos Capital Partners, mund të jetë gjiganti i telekomunikacionit botëror Deutsche Telekom (DT).
Hulumtimi nxjerr në shesh se themelues dhe drejtues të ACP Axos Capital Partners, janë në fakt ish zyrtarë të lartë të DT-së.
Por hulumtimi po ashtu sjellë në dritë edhe aspekte tjera kur drejtues të ACP Axos Capital Partners kanë lobuar në emër të DT-së për të blerë kompani të ndryshme të telekomunikacionit nëpër vende tjera të rajonit.
Dy prej themeluesve të Axos-it, në fakt janë dy nga ish zëvendës drejtorët e DT-së, Jan Georg Budden, njëri ndër themeluesit dhe drejtor i tashëm ekzekutiv i Axos-it, ka qenë zëvendës drejtor në DT. Po ashtu, Stephan Schroeder, njëri ndër themeluesit dhe partner menaxhues (Managing Partner), ka qenë po ashtu zëvendësdrejtor në DT.
Për më shumë, zyrtari ligjor dhe njeriu i cili ka përfaqësuar Axos-in në procesin e tenderimit të PTK-së, Georgi Dimitrov, një maqedonas, del që me kompaninë e tij ligjore të ketë po ashtu klient DT-në në procese tjera.
Hulumtimi ka nxjerr të dhëna të cilat i shtojnë peshë supozimit se në fakt mbrapa Axos-it qëndron DT-ja, është edhe përfshirja e së parës në procesin e privatizimit të BH Telekom të Bosnjës si dhe në atë të Albtelekomit në Shqipëri.
Në rastin e tentim privatizimit të BH Telekom, njeriu i cili ka lobuar në emër të DT-së, Volket Rühe në fakt në atë kohë, më 2008, ka qenë presidenti i Bordit të Axos-it, si dhe ish ministri i mbrojtjes.
Çohu thekoson se po ashtu, edhe në rastin e tentim privatizimit të Albtelekomit, emri i ish- ministrit të mbrojtjes së Gjermanisë, Volket Rühe del të ketë qenë i përfshirë në cilësinë e anëtarit të bordit të Axos-it, si lobues për ta privatizuar kompaninë e cila iu shit Calik Enerji nga Turqia.
Këto lidhje të ngushta të njerëzve kyç të Axos-it me DT-në, në fakt ofrojnë indicie të qarta se mbrapa liderit të konzorciumit fitues të PTK-së, mundet shumë lehtë të qëndroj DT-ja.
Skema që tregon lidhjet e drejtuesve të ACP Axos Capital Partners me Deutsche Telekom
Por, mundësia që DT-ja të qëndroj realisht mbrapa Axos-it, përforcohet edhe me informacionet që dalin nga një analizimi i rundit të parë privatizimit, por edhe i këtij të dytit.
Rundi i parë i privatizimit të PTK-së pati dështuar pasi që Hrvatski Telekom (HT) qe tërhequr nga gara, duke quar kështu në dështimin e procesit të privatizimit të PTK-së.
Hrvatski Telekom, në të cilin 51% të aksioneve i posedon DT-ja, zyrtarisht qe tërhequr nga gara kinse për shkak të akuzave për korrupsioni mbi PTK-në, por që burime të Çohu! patën treguar se arsyeja e vërtetë e tërheqjes së HT-së ka qenë tendenca e Qeverisë për tia shitur PTK-në, Telekom Austria AG.
Kjo mënyrë e tërheqjes së HT-së nga gara për ta privatizuar PTK-në, domosdoshmërisht sipas Çohu! mund të ketë shtuar presionin mbi Qeverinë e Kosovës që kësaj radhe, PTK-ja ti jepet konzorciumit ACP Axos Capital Partners, tash në konzorcium me Najafi Companies.
Po ashtu, edhe koha se kur është lejuar ndryshimi i konzorciumit tashmë titullar të PTK-së, jep të kuptohet se tenderi ka qenë i atillë, që në fund, fituese të dalë konzorciumi ACP Axos Capital Partners dhe Najafi Companies.
Komiteti Qeveritar për Privatizim, gjatë rundit të dytë të privatizimit pati lejuar ndryshimin e konzorciumit fitues të PTK-së, pas kalimit të fazës së para-kualifikimit. KQP-ja, në gusht të 2012, pati aprovuar listën e kompanive të para-kualifikuara të PTK-së, ku në mesin e tyre ishte edhe konzorciumi, Columbia Capitals nga SHBA, me Axos Capital.
Çohu thekson se vetëm disa muaj më vonë, dhe atë pas një rundi të shtyrjes së afatit për ofrimin e ofertave, në mars të 2013, KQP-ja merr vendim prapë për ta shtyrë prapë afatin e dorëzimit të ofertave, por në të njëjtën kohë aprovon ndryshimin e konzorciumit Columbia Capitals nga SHBA, me Axos Capital, duke e vendosur ACP Axos Capital Partner, si lidere të konzorciumit së bashku me Najafi Companies.
Duhet të përmendet se rundi i dytë i privatizimit të 75% të aseteve të PTK-së është përcjellë me tri shtyrje të afatit të dorëzimit të ofertave për blerjen e aksioneve të PTK-së. Për më shumë, gjatë kësaj kohe, kemi parë edhe tërheqjen e disa prej konzorciumeve nga gara, por edhe një anatemim të vazhdueshëm të kompanisë M1 International, për lidhje të saja me Hezbollah-un.
Ky kontekst i zhvillimit të gjërave në kuadër të procesit të privatizimit të PTK-së, lë të kuptohet se ka pasur një trajtim të tillë të krejt procesit me të vetmin qëllim që fitues të dalë konzorciumi ACP Axos Capital Partners dhe Najafi Companies.
Varianti i dytë u mundshëm, që nuk është përjashtues me të parin, është se në kuadër të ACP Axos Capital Partners, përveç DT-së, mund të ketë të përfshirë edhe kapital vendor, gjë që përbën edhe supozimin e dytë të hulumtimit. Mungesa e theksuar e transparencës rreth aksionarëve të ACP Axos Capital Partners, duke u thirrur në sekret komercial, por edhe mos përjashtimi i kësaj mundësie nga zyrtarët qeveritarë, vetëm sa e konfirmojnë ekzistimin e kësaj mundësie.
Kjo çështje përforcohet edhe kur kihet parasysh që ACP Axos Capital Partner përbën një fond investues, gjë që krijon mundësi të lehta për përfshirje të kapitalit vendor. Tashmë ka informacione se në këtë transaksion mund të ketë përfshirje jo-transparente të biznesmenëve vendor, politikanëve dhe njerëzve të medias.
Thyerja e ligjeve dhe kritereve të para-kualifikimit:
Rundi i dytë i privatizimit të PTK-së, përveç që është përcjellë me një mungesë të theksuar të transparencës, ka qenë i përfshirë edhe me shkelje të ligjeve dhe kushteve të privatizimit të PTK-së. Hulumtimi ka treguar se ekzistojnë tri aspekte ligjore të cilat dëshmojnë se privatizimi i PTK-së, ka probleme serioze me respektimin e kuadrit ligjor mbi të cilin procesi ka funksionuar.
KQP-ja ka aprovuar një sërë kushtesh të para-kualifikimit, të cilat asnjëherë nuk ka dhënë dëshmi se janë përmbushur nga lideri i konzorciumit fitues të PTK-së, ACP Axos Capital Partners. Bazuar në të dhënat e nxjerra nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, mbi qarkullimin vjetor por edhe të aseteve në menaxhim, tregohet se lideri i konzorciumit fitues të PTK-së, nuk ka plotësuar as edhe kriterin më të ulët, të paraparë me pikën, 4.1.2, b, të kushteve të para-kualifikimit.
Po ashtu, edhe çështja e ndryshimit të konzorciumit fitues, nga Columbia Capitals nga SHBA, me Axos Capital në ACP Axos Capital Partners dhe Najafi Companies, pas fazës së para-kualifikimit, mund të përbëjë lehtësisht shkelje të ligjeve në fuqi dhe të rregullave tenderuese.
Por, ajo që e bënë këtë proces tenderues shumë të dyshimtë, për nga respektimi i kërkesave ligjore është mungesa e një qartësie dhe koherence të vendimeve të Qeverisë dhe KQP-së, si dhe e deklarimeve kontradiktore të zyrtarëve të lartë qeveritarë, mbi shpjegimin e faktit se cili është vendimi i Kuvendit për privatizimin e PTK-së.
Kjo paqartësi dhe tendenca për ta kamufluar çështjen se cili është konkretisht vendimi i Kuvendit të Kosovës për ta privatizuar PTK-në, ashtu siç kërkohet me nenin 9.1, të Ligjit për Ndërmarrje Publike, tregon qartësisht se ky proces ka shkuar pa një konsensus të gjerë politik dhe shoqëror, por edhe me shkelje të ligjeve në fuqi dhe kushteve të tenderit.
Qeveria ka investuar shumë në zhvlerësimin e PTK-së, duke e konsideruar atë kosh të vjeljes financiare për strukturat e saja, mundësi për tu dhuruar para kompanive dhe individëve financues apo të afërt me të, si dhe për të punësuar militantë, dhe kështu për të blerë votat elektorale.
Ky proces i privatizimit të PTK-së, nuk siguron se Kosova do të ketë një partner strategjik, nuk siguron përfitime për qytetarët e Kosovës, si dhe nuk garanton investimet e duhura në tregun e telekomunikacionit.