Cliff: Çështja e hekurudhave të vihet në agjendën e bisedimeve
Prishtinë, 15 nëntor - Çështja e infrastrukturës hekurudhore në veri të Kosovës duhet të vihet në agjendë të bisedimeve teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kështu tha ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, të premten në një konferencë të organizuar nga Infrakos, me rastin e shënimit të ditës së infrastrukturës së hekurudhave të Kosovës, ku u përurua edhe një makineri për rregullimin automatik të binarëve, në vlerë prej 2 milionë eurosh.
Ambasadori Cliff, ka deklaruar se qeveria e Kosovës, në përputhje me rekomandimet e raportit të progresit, duhet të bëjë ribalancim të investimeve, dhe të kalojë nga investimet në transportin rrugor në atë hekurudhor.
Ai foli edhe për hekurudhat në veri. Është një çështje që duhet të rregullohet se kujt i takon ajo pjesë e infrastrukturës. Nuk kemi dyshim se ajo është pjesë e territorit të Kosovës. Por në termin ekonomik është prioritet. Prandaj mendoj se kjo çështje duhet të jetë pjesë e dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe pas zgjedhjeve lokale të jetë në agjendë.
Cliff theksoi se Kosova duhet ti përmbushë standardet e BE-së edhe sa i përket aspektit mjedisor dhe shfaqi bindjen se Kosova do të nënshkruajë marrëveshjen me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e modernizimit të linjës 10, Fushë-Kosovë -Hani i Elezit.
Kurse kryetari i bordit të drejtorëve të Infrakosit, Hysen Fazliu, tha se janë duke u angazhuar në vazhdimësi për ngritjen e sigurisë së komunikacionit hekurudhor. Tani Infrakosi është në fazën e zhvillimit të projekteve për rehabilitimin e linjave ekzistuese dhe mundësinë e ndërtimit të linjave të reja.
Kryeshefi ekzekutiv i Infrakosit, Agron Thaci, ka deklaruar se infrastruktura hekurudhore përfshin rreth 500 kilometra binarë, prej tyre 333 kilometra linjë të hapur. Ai foli gjerësisht për projektet që synojnë ti realizojnë në të ardhmen për modernizimin e linjave ekzistuese.
Ndryshe Infrakos është licencuar nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave para një viti. Ndërkaq linja e parë hekurudhore në Kosovë është ndërtuar në vitin 1874, apo para 139 vjetësh në Han të Elezit.