Bullgaria është e gatshme të ofrojë ndihmë për Kosovën

Prishtinë, 24 maj - Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, priti në një takim ministren e Zhvillimit Rajonal të Republikës së Bullgarisë, znj. Liljana Pavlova.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet ministrive homologe dhe vendeve tona dhe avancimin e mëtejmë të tyre.
Ministri Mujota, e njohu ministren Pavlova, me prioritetet dhe projektet infrastrukturore që po realizon Qeveria e Kosovës dhe ministria e infrastrukturës si dhe vizionin zhvillimor për të ardhmen.
Temë diskutimi ishin projektet e rëndësishme infrastrukturore si: autostrada Vermicë-Merdare, autostrada Prishtinë-Shkup dhe modernizimi i rrjetit hekurudhor.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërministror është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit në fushën e transportit rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, por zbatimi i saj nuk bëhet ende, pasi nuk është ratifikuar nga parlamenti bullgar.
Lidhur me këtë ministrja Pavlova u zotua se do të angazhohet që kjo çështje të përmbyllet sa më parë.
Mes tjerash, ministrja Pavlova theksoi interesimin e Bullgarisë për tu bërë pjesë e konkurrencës me kompanitë bullgare në shumë sektorë në Republikën e Kosovës.
Përvoja e kompanisë bullgare "Gllavbolgarstroj" në ndërtimin e pallatit të Drejtësisë në Kosovë është një dëshmi e mirë se kompanitë ndërtuese dhe kapitali bullgar mund të gjej hapësirën e nevojshme në Kosovë.
Bullgaria është e gatshme dhe do të ofrojë ndihmë për Kosovën, edhe në fushën e integrimeve evropiane dhe plotësimin e kritereve të BE-së, bazuar në procesin dhe përvojën që ka ajo, tashmë kur Kosova ka nis rrugën e saj integruese.