Bullgarët rrallëherë blejnë automjete të reja
Vitet e fundit ky është pakësimi më i konsiderueshëm i shitjeve. Këtë e tregojnë të dhënat e Asociacionit të prodhuesve të automjeteve në Evropë. Shitjet në shtator arritën gati 1.1 mln vetura, kurse numri i përgjithshëm i shitjeve nga fillimi i vitit arriti përafërsisht 9.4 mln vetura të reja.
Shitjet e automjeteve të reja në Bullgari gjithashtu u pakësuan. Sipas Asociacionit të prodhuesve në Evropë gjatë shtatorit u bënë 1 mijë e 347 blerje të veturave të reja. Blerjet në vend shënuan ulje me 22 për qind në raport me muajin shtator të një viti më parë. Që nga fillimi i vitit automjetet e reja në rrugët e Bullgarisë u pakësuan me 0.7 për qind dhe arritën shifrën 14 mijë e 252.
Parashikimet e ekspertëve nuk e shikojnë të ardhmen e sektorit me optimizëm. Asociacioni i prodhuesve të automjeteve në Evropë konstaton se nuk vërehen mundësi për tu ringjallur tregu i veturave të reja gjatë 2013-ës. Që të lirohen nga automjetet ekzistuese, tregtarët ia ulin çmimin. Bile disa raste në Evropë treguan se ulja e çmimeve shënoi 30 për qind, megjithëse viteve të fundit në treg u nxorën modele shumë të mira.
Shitja e automjeteve të reja në Bullgari për periudhën 2008-2011 shënoi ulje prej 60 përqindësh. Ndryshe nga Evropa, aktualisht magazinat në Bullgari nuk disponojnë me sasi të mëdha automjetesh dhe për këtë arsye nuk ka ulje të konsiderueshme të çmimeve.
Pasi shitjet u stopuan gjatë vitit 2009, shumë importues dhe tregtarë të automjeteve të reja u gjetën në magazina plot me modele të ndryshme. Këto ishin të porositura gjatë 2008-ës kur u shënua bumi i veturave të reja. Atëherë tregtarët u detyruan ti sheshin veturat me ulje të mëdha çmimesh, bile kishte raste të çuditshme të promovimit bli një veturë të madhe dhe merr një të vogël.
Pas kësaj gjendjeje tregtare, importi u pakësua ndjeshëm. Sipas përfaqësuesve nga dega aktualisht shitja e veturës së re shkon së bashku me disa shërbime falas me TVSH-në, me kohë të zgjatur për riparim etj. Më të shiturat janë automjetet e klasës së vogël dhe të mesëm, të cilat përbëjnë 45-50 për qind të tregut.