British Airways braktis Kosovën

Prishtinë, 25 maj - Kosova ka humbur gjigantin anglez dhe botëror të aviacionit British Airways(BA), e cila nga presionet e ndryshme të koncesionarit turk të Aeroportit Adem Jashari,Limak, ka vendosur ti ndërpresë fluturimet nga Prishtina.
Pavarësisht se për disa vite me radhë BA kishte qenë pikë referimi për lëvdata nga menaxherët e Aeroportit të Prishtinës, se ky i fundit është bërë atraktiv për aviokompanitë e njohura ndërkombëtare, të cilat nga viti në vit e kishin rritur edhe numrin e fluturimeve në destinacionin Prishtinë-Londër dhe anasjelltas, nga vjeshta e këtij viti kompania britanike do të largohet nga Kosova.
Është e vërtetë British Airways do ti ndërpresë fluturimet nga Kosova, ka thënë shkurt njëri nga punonjësit e kësaj aviokompanie, që nuk ka dashur ti përmendet emri.
Gazeta Zëri i ka dërguar e-mail dhe ka tentuar ti kontaktojë edhe menaxherët e BA për Shqipëri dhe Kosovë, mirëpo nuk janë përgjigjur gjatë ditës së enjte.
British Airways, së fundi ka shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të Limak për ndërprerjen e kontratës për furnizim të aeroplanëve.