Bordi i RTK-së arsyeton punësimet e familjarëve të Hashim Thaqit, VV-ja kritikon për nepotizëm
Prishtinë, 21 prill - Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transafere është duke shqyrtuar Programin e Shpenzimeve të RTK-së.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica në Komisionin për Buxhet dhe Transfere ka kritikuar nepotizmin në Radio Televizionin e Kosovës.
Ai ka thënë se në RTK është punësuar djali i vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi, Gani Thaçit e pastaj edhe familjarë të tjerë.
Korenica ka thënë se me kontratë mbi vepër janë punësuar Leotrim Thaçi dhe gruaja e tij, Festinë Cakolli, ndërsa vëllai i kësaj të fundit është punësuar si kameraman.
“Në bazë të diskutimeve është raportuar se është punësuar edhe dhëndri i kryetarit të Bordit. Sali Bashota a bie kjo në kundërshtim me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. RTK është sinonim i keqpërdorimeve të vazhdueshme. Për të gjitha këto parregullsi duhet të formohet një komision hetimor sa më parë që ta hetojë gjendjen në RTK dhe të monitorohet nga organet ndërkombëtare. Prokuroria duhet të nis sa më parë hetimet ndaj keqpërdorimeve në RTK. Atë që Kuvendi duhet ta bëjë me urgjencë është kthimi i ligjshmërisë duke shkarkuar bordin aktual dhe duke nxjerrë një bord profesional”, ka thënë ai.
Akuzave u është kundërpërgjigjur, drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati.
Kastrati i cili nuk i ka pritur mirë deklaratat e Korenicës ka thënë se është e drejtë e tij se kë e punëson, duke shtuar se punësimi i Leotrim Thaçit, nipit të ish presidentit Hashim Thaçi si menaxher i njësisë për të drejtat autoriale, iu ka kursyer 55 mijë euro.
“Nuk është mirë me hy me emra, Leotrim Thaçi se po doni me sulmu, i njëjti është punësu tre muaj ditë është punësu si ekspert i fushës i cili e ka bërë një ekspertizë për të drejtat e autorit dhe i kemi kursy 55 mijë euro. I ka marrë tri rroga nuk është më në punë. Kam drejt dhe unë vendosi për atë punë, nuk mundem me ardh me të kallxu ty unë kon me e punësu. Është punë e menaxhmentit kon me e punësu”, ka thënë Kastrati.
Sali Bashota, kryetar i Bordit të RTK-së ka thënë se dhëndri i tij është punësuar për një periudhë 3-4 muaj dhe pastaj i është ndërprerë kontrata.
“Lidhur me tekstin që e lexove po lidhem me punësimin e dhëndrit tim shkoni, shikoni nëse dhëndri im punon në RTK, ka punuar një periudhë 3-4 muaj dhe i është ndërprerë kontrata. Është mirë të mos i referoheni burimeve të pa verifikuara sepse jeni deputet në Kuvendin e Kosovës. Nuk është e ndershme nuk është profesionale”, ka thënë ai.