29 Dhjetor 2024

Bora bllokon fshatrat e rajonit të Shalës së Bajgorës

Mitrovicë, 6 janar - Erërat e fuqishme, të përcjella më fërfëllizë, kanë vështirësuar  gjendjen në rrugët e komunës së Mitrovicës. Kjo gjendje në rrugët e fshatrave të Shalës së Bajgorës, që lidhin me rrugën kryesore rajonale që shpie për në Podujevë, është jashtëzakonisht e rëndë, dhe si pasojë e kësaj, fshatrat kanë mbetur të bllokuara.

Banorët e këtyre fshatrave mund të lëvizin vetëm këmbë deri në rrugën rajonale, e cila është e kalueshme vetëm deri në Bare, ndërsa tutje për në Bajgorë, Kaqandoll e Podujevë është e bllokuar. Mirëmbajtja e kësaj rrugë është në përgjegjësi të Ministrisë së Infrastrukturës.

Duke e parë se gjendja po vështirësohet, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka vizituar gjatë natës disa fshatra të  rajonit të  Shalës së Bajgorës, por nuk ka mundur të depërtoj për në Kovaçicë, për shkak të ortekëve të borës që kishin mbyllur rrugët.

Edhe gjatë ditës së sotme, kryetari Bahtiri, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Besnik Beka,  ka vizituar këtë rajon, por nuk ka mund të shkoj më larg se në fshatin Bare, pasi që edhe rruga rajonale që shpie për në Podujevë, ishte bllokuar nga fshati Bajgorë e tutje, nga ortekët e borës.

Kryetari Bahtiri në Bare takoi përfaqësuesit e tri kompanive që me makinerinë e rëndë po bënin përpjekje për të zhbllokuar rrugët anësore nga ajo rajonale, që shpijnë për në fshatrat e këtij rajoni. Fatmir Fejzullahu, banor i Bajgorës, i tha kryetarit Bahtiri se gjendja është jashtëzakonisht e rëndë dhe se ndihma sa më e shpejtë e komunës është e domosdoshme.

Ai kërkoi nga menaxherët e kompanive që të qëndrojnë në rajonin e Shalës së Bajgorës gjatë 24 orëve dhe që të bëjnë përpjekje aq sa lejojnë kushtet e vështira për shkak të fërfëllizave dhe krijimit të ortekëve të borës, për të zhbllokuar rrugët, por mbi të gjitha për t’iu ofruar ndihmë me mekanizmin e tyre të rëndë, banorëve të fshatrave të bllokuara, nëse ajo kërkohet.

Gjatë ditës është mbajtur edhe mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), në të cilën u shqyrtua gjendja e rëndë e krijuar nga bora dhe sidomos nga fërfëllizat që po i bllokojnë rrugët.

Në mbledhje, ku ishin të pranishëm edhe nënkryetari i komunës, Faruk Mujko,  komandanti i policisë nga stacioni jugor, Ahmet Gjosha, përfaqësues të FSK-së, zjarrfikësve dhe të drejtorive komunale që që mund të ofrojnë shërbime në raste të këtilla, siç janë drejtoria e Shëndetësisë, Infrastrukturës, Ambientimit, Arsimit etj.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, duke raportuar për gjendjen e krijuar gjatë natës, tha se ajo është e vështirë në të gjitha rrugët e komunës, por në veçanti e rëndë në fshatrat e Shalës së Bajgorës.

Ai tha se ekipet emergjente janë në terren dhe po bëjnë përpjekje maksimale për të zhbllokuar rrugët dhe për t’i bërë ato të kalueshme. Sipas tij,  për pastrimin e rrugëve janë angazhuar shtatë kompani dhe të gjitha janë në terren, tri prej ët cilave në rajonin e Shalës së Bajgorës. Dragaj tha se është shtuar niveli i gatishmërisë të të gjitha subjekteve që mund të kontribuojnë në tejkalimin e gjendjes së vështirë.
 
Kryetari Bahtiri, pasi i njoftoi të pranishmit në takim se ka kërkuar ndihmë nga FSK-ja dhe Ministria e Infrastrukturës që dërgoj ekipin e vet për pastrimin e rrugës rajonale Mitrovicë-Podujevë,  sërish kërkoi mobilizim të shtuar të të gjithë faktorëve në mënyrë që situata të menaxhohet sa më mirë dhe që rrugët të zhbllokohen.
 
“Sidomos duhet të jete maksimale gatishmëria për t’i ofruar popullatës ndihmë në ushqime dhe për rastet e të sëmurëve nëse ka të tilla. Kompanitë e kontraktuara nga komuna duhet të qëndrojnë 24 orë ne rajonin e Shalës së Bajgorës dhe të intervenojnë me makinerinë e rëndë sa herë që kjo kërkohet nga banorët për çfarëdo nevoje që ata kanë. Ndërkaq, inspektorët e komunës duhet të jenë gjatë tërë ditës në lëvizje dhe të detyrojnë pronarët e lokaleve që të pastrojnë hapësirat publike, në mënyrë që të mos lëndohen qytetarët. Po ashtu, edhe ekipet mjekësore duhet të jenë të mobilizuara gjatë 24 orëve dhe të ofrojnë ndihmën e shpejtë kur ajo kërkohet”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.
 
Me qëllim që të ketë informata sa më të sakta lidhur me gjendjen nëpër rrugët dhe furnizimin me artikuj ushqimorë, kryetari i komunës, ka ftuar një takim me përfaqësuesit e fshatrave dhe lagjeve, për të biseduar për këto çështje dhe nevojat tjera të qytetarëve.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)