Bie fitimi i Lufthansas
Berlin, 21 shkurt - Shoqëria ajrore Lufthansa planifikon një ristrukturim. Në kuadër të tij do të zhvendosen jashtë vendit më shumë se 700 vende pune. Të prekura janë administrata qendrore në Këln dhe qendra në Norderstedt.
Lufthansa do të mbyllë deri në fund të 2017-s dy qendra të aktivitetit në Gjermani. Siç bëri të ditur në mbrëmje sipërmarrja në Frankfurt mbi Main, të prekura janë administrata qendrore në Këln dhe qendra e shoqërisë bijë Lufthansa Revenue në Norderstedt.
Më shumë se 700 vendet e punës do të zhvendosen jashtë Gjermanisë. Po shqyrtohen edhe zhvendosje të tjera.
Kryesia do të negociojë me përfaqësuesit e punëmarrësve në javët e ardhshme lidhur me planet në fjalë. Sipërmarrja e pati mbyllur bilancin e vitit 2012 me fitim, por regjistroi një rënie të fitimit në aktivitetin e saj të mirëfilltë.
Bilanci i sipërmarrjes nxjerr një rezultat në bazë koncerni prej 990 milionë eurosh. Krahasuar me një vit më parë kjo shumë është 13 milionë euro më e ulët.
Sipas Lufthansës në këtë rezultat kanë ndikuar negativisht efektet e veçanta prej shitjeve të pjesëve që mbante sipërmarrja në sipërmarrje të tjera.
Fitimi nga aktiviteti i mirëfilltë ra nga 820 milionë euro në 524 milionë euro, tha Lufthansa. Për vitin 2012 aksionarët nuk do të përfitojnë gjë, pasi kryesia e Lufthansës propozon që të mos paguhet dividend.