26 Dhjetor 2024

BERZH jep 700 mijë euro asistencë teknike për transportin publik

Prishtinë, 24 qershor - Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, mbajti sot konferencë për media së bashku me përfaqësuesin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Anton Kobakov.

Në këtë konferecnë u prezantuan hapat e përbashkët drejt reformimit të transportit publik në Prishtinë. Komuna e Prishtinës ka arritur marrëveshje me BERZH-in për asistencë teknike në vlerë mbi 700.000 euro për këtë projekt.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se në muajt korrik dhe gusht do të kemi asistencë nga BERZH, përmes së cilës do të përcaktohen detajet se çfarë përmirësimesh duhet të bëjmë dhe çfarë punësh duhet të bëjmë në vazhdim të projektit.

“Asistenca teknike nga BERZH-i ka të bëjë me planin e mobilitetit të qëndrueshëm, që e përcakton saktësisht se si lëvizin qytetarët në Komunën tonë në mënyrë që dizajni i ri i transportit publik në Prishtinë të jetë në përputhje me kërkesat e qytetarëve.\"

\"Do të kemi asistencë edhe për përgatitjen e tenderëve ndërkombëtar, ku edhe prokurimi gjatë blerjes së autobusëve të rinj do të jetë i përbashkët”, tha Ahmeti, duke shtuar se do të bëhet edhe zhvillimi koorporativ i kompanisë e cila aktualisht është në borxhe.

Me ndihmën e BERZH-it do të bëhet reformimi i plotë i saj prej vendimmarrjes deri në zhvillimin e kapaciteteve për menaxhimin e flotës së re të autobusëve.

“Ky projekt afatgjatë mund të shkojë deri në tri vite, ku do të bëhet edhe sistemi i pagesave të integruara, pa para të gatshme, nëpër autobusët tonë”, theksoi Ahmeti.

Ai ndër të tjera tha se ndryshimet në transportin publik do të fillojnë të shihen qysh nga vjeshta e këtij viti, kur do të vendoset se çfarë autobusë duhet të blejmë.

“Një prej kushteve të kësaj marrëveshjeje është që e gjithë kjo të jetë në suaza të transportit publik dhe në menaxhim të kompanisë me marrëveshje me Komunën. Një pjesë e autobusëve do të blihen nga buxheti i caktuar, kurse pjesa tjetër nga kredia që do të marrim në BERZH, me kushte shumë më të buta, që do të na mundësojë modernizimin e transportit publik. Kredia do të kthehet nga të hyrat që do të gjenerojmë nga Trafiku Urban”, tha në fund Ahmeti.

Përfaqësuesi i BERZH-it në Kosovë, Anton Kobakov, falënderoi Kryetarin e Prishtinës për këtë nismë.

“Prishtina ka nevojë për transport publik funksional, me autobus modern, me sistem modern të biletimit, që do ta bënte të ndihej mirë secili qytetar i Prishtinës që udhëton me të. Ne kemi nevojë që së pari ta zhvillojmë vetë sistemin, për ta parë se cila është mënyra më e mirë e organizimit të transportit publik, cila është teknologjia më e mirë që i përshtatet Prishtinës, cili lloj i autobusëve, e të tjera.\"

\"Të gjitha këto do të arrihen përmes planit të mobilitetit të qëndrueshëm. Ne gjithashtu duam ta ndihmojmë kompaninë “Trafiku Urban”, si makina kryesore e realizimit të gjithë projektit”, tha në mes të tjerave Kobakov.

Komuna e Prishtinës po punon intensivisht që përmes kësaj reforme, transporti publik i kryeqytetit të jetë më i miri i mundshëm për qytetarët e Prishtinës, dhe shembull për transportet publike në shtetet e Ballkanit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)