BERZH-i i gatshëm të ndihmojë hekurudhat e Kosovës
Prishtinë, 27 mars - Ministri i Financave Besim Beqaj priti sot në takim një delegacion të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga drejtoresha e Sektorit të Transportit Sue Barret.
Në këtë takim Ministri Beqaj theksoi nevojën për shtimin e bashkëpunimit me BERZH-in në projekte konkrete dhe njoftoi delegacionin e BERZH-it lidhur me gjendjen makroekonomike, si dhe potencialin që e ka Republika e Kosovës.
Ministri Beqaj gjithashtu shprehi gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të vazhdoj me strukturën e shpenzimeve, e cila mundëson përmirësimin e infrastrukturës së transportit.
Ndërsa, drejtoresha e Sektorit të Transportit në BERZH Sue Barret shprehi gatishmërinë për përfshirjen e BERZH-it në projekte të hekurudhave dhe rrumbullakimit të investimeve në rrugët evropiane dhe linjën hekurudhore që lidhë Kosovën me shtetet e rajonit.