29 Prill 2024

Bekim Fehmiu në pullë postare

Prishtinë, 5 dhjetor - Posta e Kosovës ka promovuar të enjten pullën postare që i kushtohet aktorit shqiptar me famë botërore, Bekim Fehmiu.

Kjo pullë postare është emision i jashtëzakonshëm i Filatelisë së Postës në kuadër të tematikës “Kinematografia botërore”.

“Nga sot, kur kjo pullë është vënë në qarkullim, mijëra letra e dërgesa tjera postare do të udhëtojnë nëpër botë me imazhin e aktorit tonë të madh. Do të udhëtojnë në shumë shtete e kontinente ku Bekim Fehmiu la gjurmë të pashlyeshme me talentin e tij, duke u ngritur në majat më të larta të kinematografisë botërore”, ka thënë kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Postës së Kosovës, Halit Isufi.

Ndërkaq, Kryeshefi i Postës, Sejdi Hoxha, në ceremoninë e përurimit, ka thënë se në tematikën kinematografia botërore nuk ka qenë e vështirë të përcaktohet njeriu që do të përzgjidhet.

“Ne jemi krenarë që patëm një aktor që do të mbetet gjithmonë i pavdekshëm në historinë e kinematografisë botërore. Nga sot, ai është bërë nga vlerat më të mëdha të filatelisë së Postës së Kosovës”.

Në këtë promovim kanë folur edhe zyrtarë qeveritar: Ministri i Kulturës Memli Krasniqi, Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci, Ministri i Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Maqedonisë, Tahir Hani, Drejtori i Përgjithshëm i Postës së Maqedonisë, Rafis Haliti si dhe një prej miqve më të ngushtë të Bekim Fehmiut, drejtori i Kinemasë “ABC”, Milazim Salihu.

Ky promovim është nderuar posaçërisht me pjesëmarrjen e familjes Bekim Fehmiut, të cilës Kryeshefi Sejdi Hoxha ua dhuroi një pullë postare, e punuar në bronz, me portretin e aktorit tonë të madh.

Në emër të familjes së Bekim Fehmiut ka folur nipi i tij, Agon Fehmiu, i cili ka falënderuar Postën e Kosovës për nderin që i është bërë aktorit të famshëm. Ai lexoi një letër të bashkëshortes së Bekim Fehmiut, zonjës Branka Petriç, po ashtu një aktore e njohur, e cila nuk ka mundur të marrë pjesë në këtë promovim.

Në fund është shfaqur një dokumentar me përmbledhje insertesh nga filmat e shumtë të Bekim Fehmiut, i përgatitur nga kinematografi Latif Hasolli dhe regjisori Ilirian Himaj.

Kryeshefi Sejdi Hoxha ka deklaruar se filmi dhe arti skenik do të jenë edhe në të ardhmen në fokus të Filatelisë së Postës së Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)