BeH: Kosova na ka 83 vagona borxh
Prishtinë, 11 nëntor - Shteti i Bosnje Hercegovinës pretendon se Kosova i ka borxh 83 vagonë të trenave që mbetën këtu për shkak të luftës së fundit. Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk është e informuar rreth kësaj çështjeje, por e këshillon Sarajevën që përgjigjen ta kërkojë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Vagonët që po i kërkojnë boshnjakët ka gjasë të mos i marrin kurrë nga Kosova. Ata ose mund të jenë copëtuar dhe shitur për skrap ose mund të jenë duke u shfrytëzuar për transport të mallrave dhe njerëzve diku në Serbi, njofton Express.
Gjasat janë shumë më të mëdha që mbetjet e tyre tashmë të jenë shkrirë në shkritore të Maqedonisë e Malit të Zi.
Për këtë, qe shtatë vjet është duke vazhduar një proces gjyqësor kundër disa ish-zyrtarëve të hekurudhave, që i shitën qindra vagonë të mbetur nga lufta për hekur.
E institucionet e Kosovës nuk informacion se vagonët mbi të cilët pretendon pronësi Bosnja e Hercegovina gjinden në territorin e Kosovës.
Madje edhe nëse kanë qenë ndonjëherë dhe janë shitur, apo kanë humbur rrugë në binarë, Qeveria e Kosovës nuk pranon të marrë përgjegjësi për ta.
Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se nëse kërkesa e këtij shteti ka të bëjë me periudhën e parapavarësisë, deri në vitin 2008, më kot iu drejtohen atyre.
\"Le tiu drejtohen Administratës së Kombeve të Bashkuara, pasi në atë kohë ka menaxhuar UNMIK-u me hekurudhat\", thotë Gëzim Baxhaku, këshilltar për media në MZHE. /