Bechtel & Enka ka nënshkruar kontrata me 10 kompani vendore
Fatmir Limaj, Ministri i Transportit, ka thënë se Bechtel & Enka po vazhdon ti përmbushë obligimet e saja sipas kontratës së paraparë, duke ritheksuar edhe një herë rëndësinë e projektit të infrastrukturës për ekonominë e vendit dhe të ardhmen e saj, sepse sipas tij këto investime janë faktor dhe motor i ekonomisë dhe stabilitetit të vendit.
Me vetë faktin që kompanitë vendore të Kosovës janë të gatshme të hynë në projekte të tilla super kapitale ndërtimin e infrastrukturës rrugore, në nivelin e autostradave me standarde evropiane, tregon atë se sa ka shkuar përpara ky sektor dhe sa është zhvilluar. Angazhimi i Qeverisë në ndërtimin e projektit madhor, infrastrukturor atë që e quajmë me të drejtë rruga e kombit është pa dyshim investimi më i madh ndonjëherë i bërë në Kosovë, jo vetëm sa i përket aspektit të ndërtimit të tij, por edhe sa i përket formatit të ndërtimit në kohë rekordi të kësaj autostrade, ka thënë ministri Limaj.
Drejtori i projektit të autostradës, Darren Mort nga Bechtel & Enka, ka thënë se kjo kompani ka eksperiencë, kapacitet dhe aftësi për të përfunduar punimet e autostradës dhe do të punojë me standardet më të larta për të përfunduar punën me sukses.
Ky projekt është një arterie tepër e madhe për shtetin e Kosovës, e cila filloi prej kufirit me Shqipërinë deri në kufi. Bechtel & Enka do të punojë me standardet më të larta, në mënyrë që kjo rrugë të përfundohet brenda tre vjetëve. Bechtel & Enka, është një nga kompanitë më të mëdha ndërtimore në botë dhe e ka për detyrë që të gjitha projektet e saja ti përfundojë në afate të caktuara, ka thënë Mort.
Kryetar i Departamentit të Arsimit dhe Shkencës pranë Aleancës Kosovare të Bizneseve, Mixhait Reçi,ka thënë se në këtë takim kompanitë anëtare të AKB-së dhe kompani tjera po i japin mbështetje të fuqishme koncorsiumit Bechtel & Enka dhe do të prezantojnë kapacitetet e tyre.
Ky takim është me qëllim që të njoftojmë kompanitë vendore, ti prezantojmë kompanitë vendore para kompanisë Bechtel & Enka, kapacitetet e tyre për të bashkëpunuar në realizimin e këtij projekti kaq të madh dhe kaq të rëndësishëm tonë kombëtar, ka thënë ai.