30 Dhjetor 2024

BE investon 91 milionë euro në hekurudhat e Kosovës

Prishtinë, 19 dhjetor - Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shënuan sot në Fushë Kosovë fillimin e punimeve të bashkëfinancuara nga BE-ja për rehabilitimin dhe përmirësimin e 34 kilometrave të hekurudhës në mes të Fushë Kosovës dhe Mitrovicës.

Vlera totale e punimeve që do të kryhen në 15 muajt e ardhshëm është 68 milionë euro, nga të cilat BE-ja siguron 27 milionë përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, dhe 41 milionë euro të mbetura përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankës Evropiane të Investimeve (BEI).

“Tani po fillojmë të rehabilitojmë dhe përmirësojmë seksionin e dytë të Linjës hekurudhore 10 në Kosovë, e cila është pjesë e Rrjetit të Transportit Trans-Evropian (TEN-T) dhe lidh Kosovën me rajonin dhe pjesën tjetër të Evropës," tha Szunyog.

"Kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi kontribuon në lidhjen e transportit të Kosovës që çon në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, dhe po ndihmon integrimin e Kosovës në tregun e vetëm rajonal dhe të BE-së."

Linja hekurudhore 10 që shkon nga Maqedonia e Veriut, mbi Kosovë dhe në Serbi është 256 kilometra e gjatë; ku 148 kilometra janë në Kosovë. Përmirësimi i seksionit të parë nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Fushë Kosovë, 66 kilometra i gjatë, ka filluar në gusht të vitit 2019 dhe duhet të përfundoj deri në fund të vitit 2023, ndërsa përgatitjet për përmirësimin e seksionit të tretë nga Mitrovica e tutje janë në proces.

Me investimin e ri prej 27 milionë euro, kontributi i drejtpërdrejtë i BE-së në përmirësimin e hekurudhave në Kosovë ka arritur vlerën prej 91 milionë, ndërsa BERZH-i dhe BEI po investojnë bashkërisht në të njëjtën shumë.

 “Ne u jemi mirënjohës Bashkimit Evropian dhe në veçanti Komisionit Evropian për mbështetjen e financimit dhe rehabilitimit të kësaj linje hekurudhore, e cila do t'i afrojë qytetarët e Kosovës edhe më shumë me Bashkimin Evropian."

"Kosova do të ketë një linjë hekurudhore që plotëson të gjitha kërkesat e ndërveprueshmërisë të përcaktuara sipas direktivave të BE-së. Do të rezultojë në përmirësimin e kapacitetit hekurudhor për pasagjerët dhe mallrat, dhe përmirësim të ndjeshëm në kohën e udhëtimit. Po aq e rëndësishme, do të funksionojë me emetime të reduktuara të gazeve serrë dhe dioksidit të karbonit,” tha Kurti.

Linja hekurudhore 10 ishte përgjithësisht në një gjendje të keqe me kufizime të rënda strukturore që kufizuan shpejtësinë e trafikut në 60 km/h. Rehabilitimi i saj është investimi i parë i madh në sektorin hekurudhor në Kosovë dhe përfshin zëvendësimin e kthesave të vjetër, shinave dhe pragjeve të trenit, si dhe rinovimin e tuneleve dhe urave.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ministrat e ekonomisë dhe mjedisit të Kosovës, Artane Rizvanolli dhe Liburn Aliu, si dhe kryeshefi ekzekutiv i Infrakos, Uran Mulaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)