Bashkëpiloti i Lufthansas kishte kaluar raste depresioni të rëndë
Berlin, 1 prill - Kompania ajrore gjermane \"Lufthansa\" deklaroi të martën se në vitin 2009 piloti i dytë i aeroplanit të rrëzuar të \"Germanwings\" Andreas Lubitz e kishte njoftur shkollën e trajnimit ku studionte se kishte pasur \"episode të mëparshme depresioni të rëndë\".
Sipas deklaratës së \"Lufthansa\"-s, Prokuroria e Duseldorfit kishte paraqitur shumë dokumente shtesë, sidomos materiale mbi trajnimin e Andreas Lubitz dhe materiale mjekësore, për të hetuar sa më shpejt incidentin e rrëzimit të aeroplanit të \"Germanwings\" javën e kaluar në Alpet Franceze.
Prokuroria e Duseldorfit konfirmoi të hënën se para shumë vjetësh Lubitz ishte diagnostikuar me prirje vetëvrasjeje dhe kishte marrë trajtim psikologjik afatgjatë, por vitet e fundit ai nuk kishte shfaqur shenja për kryerje vetëvrasjeje ose agresiviteti ndaj të tjerëve.