Banorët kërkojnë përfundimin e rrugës së Vllahisë
Prishtinë, 12 shtator - Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët ka pritur të hënën në takim një delegacion të banorëve të fshatrave të Vllahisë, Melenicës, Maxherës dhe Zjaqës. Paraprakisht banorët e këtyre fshatrave protestuan para komunës për shkak të vonesës që ka të bëj me rregullimin e rrugës në lokalitetin e tyre.
Fehmi Ferati, i cili i printe përfaqësuesve të këtyre banorëve, tha se ata kanë organizuar një protestë të qetë në mënyrë që të shprehin shqetësimin për vonesën e madhe në lidhje me rregullimin e rrugës 9 kilometërshe nga Trepça në Vllahi. Tha se ishte premtuar që rruga të kryhej për 150 ditë, ndërsa kanë kaluar 3 vjet dhe ajo nuk ka përfunduar ende.
Ai kërkoi që të dihen shkaktarët e kësaj gjendjeje, meqë banorët janë shumë të mllefosur. Ne kemi dashur në mënyrë të civilizuar të bisedojmë dhe të kuptojmë se çfarë është duke ndodhur me këtë rrugë, tha ai, duke përmendur problemet e mëdha që kanë si pasojë e stërzgjatjes së punëve.
Ferati tha se nuk duan ta fajësojnë askë, meqë nuk e dinë se ku qëndron problemi. Ne duam të dimë si qëndron puna, meqë është bërë tepër dhe banorët janë të lodhur. Ka probleme për banorët që duhet të lëvizin përditë, por edhe për ata që kanë investuar në atë fshat.
Në anën tjetër, nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se e kuptojnë plotësisht shqetësimin e tyre. Jo vetëm ju, por edhe ne jemi shumë të shqetësuar për shkak të kësaj gjendjeje të krijuar për këtë rrugë.
Mandej ai sqaroi se rruga e Vllahisë është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës, andaj ndikimi dhe roli i komunës nuk është shumë i madh. Tha se vazhdimisht kanë bërë presion tek kjo ministri që të lëvizet më shpejtë dhe të kryhet kjo rrugë, por gjërat kanë lëvizur shumë ngadalë.
Ndërsa Rasim Veseli, drejtor i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, tha se asnjëherë nuk i kanë ndalur përpjekjet që nëpërmjet trysnisë tek institucionet qendrore të shtyejnë përfundimin e këtij projekti që ka nisur para tre vitesh. Ne si komunë në fillim kemi përgatitur projektin, ndërsa të gjitha përgjegjësitë tjera i ka marrë ministria, duke përfshirë edhe organin mbikëqyrës. Mandej është ndrushyar edhe projekti që kemi bërë ne dhe mandej kanë filluar vonesat.
Përfaqësuesit e banorëve të këtyre fshatrave pasi morën këto sqarime thanë se tash trysninë do të orientojnë për në Ministrinë e Infrastrukturës, në mënyrë që sa më parë ti japin fund këtij problemi.