Banorët e japin pronën private që Komuna tua ndërtojë trotuarin
Prishtinë, 25 mars - Komuna e Prishtinës i është përgjigjur kërkesës së banorëve të lagjes Ismet Krasniqi, të cilët kohë më parë kishin bërë kërkesë që të rrënohet një mur i cili paraqiste rrezik për lëvizjen e banorëve.
Drejtoria e Inspekcionit ka rrënuar murin me gjatësi prej rreth 100 metrave, ndërsa pronarët e tokës janë shprehur të gatshëm që ta ofrojnë pronën e tyre private për ndërtimin e trotuarit në këtë pjesë.
Në qytetin e Prishtinës janë pikërisht trotuaret ato pjesë të hapësirës publike, të cilat, me pengesat që i përmbajnë, e vështirësojnë lëvizjen dhe jo rrallë e rrezikojnë jetën e këmbësorit.
Falë vullnetit dhe gatishmërisë së banorëve të lagjes Ismet Krasniqi, së shpejti kjo lagje do të bëhet me trotuare që janë një nga komponentet themelore të lëvizjes për qytetarë në hapësirat urbane.