23 Dhjetor 2024

“Axos” pas katër muajsh i paguan 277 milionë euro

Prishtinë, 16 prill - Konsorciumi “Axos –Najafi”, po qe se do të shpallet fitues i 75 për qind të aksioneve të PTK-së, pas katër muajsh do t’i paguajë 277 milionë euro në buxhetin e Kosovës.

Sipas zyrtarëve të Njësisë për privatizimin e PTK-së, paratë do të transferohen fillimisht, siç thonë ata, në një llogari të besuar para përfundimit të transaksionit dhe pas kësaj çmimi i blerjes do të paguhet në thesarin e shtetit.

”Axos” po ashtu ka kërkuar që në momentin që kompania publike të kalojë në duart e tyre t’i posedojë 35 milionë para të gatshme, në të kundërtën ata do t’i paguajnë vetëm 242 milionë euro për PTK-në.

Në anën tjetër, ekspertët e ekonomisë thonë se çmimi që është ofruar për PTK-në është tejet i lirë dhe në rast se edhe pagesa zgjatë me muaj, atëherë po konfirmohen pohimet së kompania publike është falur.

“Ky çmim paraqet dy herë më pak se sa që është vlera reale e PTK-së. Në qoftë se tash prolongohet pagesa normalisht se do të vijë deri te devalvimi i parasë së ofruar”, ka thënë Musa Limani, ekspert i ekonomisë.

Sipas tij, përveç 35 milionëve që do t’i ketë në xhirollogarinë e PTK-së, blerësi brenda këtyre muajve sa do të zgjatë pagesa do të fitojë edhe miliona euro nga ky prolongim.Ai thotë se Qeveria ka ende kohë që të mos ngutet në shitjen e PTK-së.

Limani ka kërkuar që kjo çështje të debatohet në Parlament, në mënyrë që të shihet se cila është zgjidhja më e mirë.

“Është mirë që Qeveria të mendojë ende se a duhet apo nuk duhet ta shesë PTK-në, pasi që është një ndër ndërmarrjet më profitabile dhe paraqet një burim shumë të sigurt të mjeteve buxhetore e cila diku gjeneron të ardhura mbi 40 milionë në vit”, ka thënë ai.

Shitja me një çmim të tillë ishte kundërshtuar nga sindikalistët e PTK-së dhe një pjesë e opozitës.

LDK-ja ka vlerësuar se ky privatizim ka qenë i shtyrë nga presionet fiskale që ka Qeveria e Kosovës, e jo i bazuar në objektiva strategjike për të maksimizuar vlerën e shitur dhe për të përmirësuar shërbimet për qytetarë. Sipas tyre, qeveria nuk ka bazë ligjore për ta privatizuar PTK-në.

Ndërsa përfaqësues të partisë tjetër opozitare “Vetëvendosje” këtë mënyrë të shitjes së kompanisë publike e kanë quajtura kontrabandim të ndërmarrjes më profitabile në vend. Për më tepër ata kanë kërkuar fillimin e hetimeve të menjëhershme të të gjithë procesit.

Ndërsa sindikalistët e PTK-së kanë thënë se do t’i shfrytëzojnë të gjithë hapat sindikalë për të ndaluar këtë formë të shitjes së PTK-së.

Milazim Alshiqi, kryetar i kësaj sindikate, ka thënë se do t’i shfrytëzojnë të gjitha rrugët ligjore dhe nuk do të ndalen deri në arritjen e qëllimeve të tyre.

Ofertat për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së u hapën të premten nga Komisioni i Privatizimit.

Kompania gjermane “Axos Capita” në konsorcium me “Najafi Company LLC” kishte ofruar 277 milionë euro, ndërsa “M1 International Limited” nga Libani, kishte ofruar 150 milionë e 10 mijë euro.

/Zëri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)