Avancohet bashkëpunimi mes Aviacionit Civil i Kosovës dhe atij të Shqipërisë
Prishtinë, 5 prill - Drejtori i përgjithshëm i Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës (AAC), Eset Berisha, me bashkëpunëtorë, dje ka qëndruar për vizitë zyrtare në Autoritetin e Aviacionit Civil të Shqipërisë ku është pritur nga Drejtori i përgjithshëm, Krislen Keri dhe bashkëpunëtorët e tij.
Drejtori Berisha, e falënderoi Drejtorin Keri për ftesën dhe vlerësoi lartë të arriturat e Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar.
Zhvillimet në aviacionin civil në Republikën e Kosovës, por edhe sfidat për zhvillim të mëtejshëm në të ardhmen kanë qenë preokupim që nga emërimi, tha Drejtori Berisha.
Më tutje, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në mes të dy autoriteteve, si anëtare të Marrëveshjes ECAA, në fushën e standardeve të sigurisë së aviacionit si dhe këmbimit të legjislacionit si dhe përvojave dhe ekpertizave të personelit profesional, me ç’rast kërkoi angazhim të personelit kosovar në aktivitetet e ndryshme që zhvillohen në AACSH.
Të dy drejtoret u dakorduan se bashkëpunimi në mes të dy institucioneve do të vazhdoj në të ardhmen me një marrëveshje bashkëpunimi.