Autostrada Vërmicë - Merdare pritet të përfundojë sipas planit
Prishtinë, 24 mars - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vizitoi sot punimet në segmentin e pestë të autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdarë, në rajonin e Malishevës.
Me këtë rast drejtuesit e lartë të konzorciumit Behtel Enka e kanë njoftuar kryeministrin Thaçi lidhur me dinamikën e punimeve në këtë segment të autostradës.
Sipas tyre punët po zhvillohen normalisht dhe nuk kanë asnjë pengesë dhe pritet që edhe ky segment të përfundojë sipas planit.
Kryeministri Hashim Thaçi ka përgëzuar drejtuesit e Behtel- Enka për punën e mirë që janë duke e bërë dhe ka siguruar ata se Qeveria e Kosovës do të përmbush të gjitha obligimet që i takojnë.
Ne sot kemi një datë të shënuar , është 24 marsi kur 13 vite më parë filluan bombardimet e NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë . 13 vite më parë ne përjetonim një rrethanë të mbijetesës si vend dhe popull, por e mbijetuam dhe fituam atë betejë".
"Përjetuam gjenocid dhe deportim të paparë të qytetarëve të Kosovës nga policia dhe ushtria serbe. Sot secili kujton se ku ishim para 13 vitesh dhe ku jemi sot, theksoi Thaçi duke shtuar se dje punuam shumë për çlirimin dhe lirinë e Kosovës dhe sot kjo është pamja më e mirë se ku jemi , se po punojmë shumë për zhvillimin dhe ndërtimin e Kosovës së re, Kosovën evropiane.
Më tutje Thaçi tha se ky projekt madhështor dhe modern i rrugës së kombit, është projekt i rrugës së integrimit euroatlantik të Kosovës. Tash po punohet 24 orë në ditë dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës do ti kryej të gjitha obligimet , po ashtu edhe autoritet komunale do ti kryejnë obligimet e tyre.
Tash po punohet në segmentin e pestë prej 22 kilometra dhe i cili pritet të përfundojë në nëntor të këtij viti . Po ashtu segmenti nga Aeroporti në drejtim të Prishtinës dhe fshatit Besi do të filloj në gusht në mënyrë që gjatë vitit të ardhshëm të përmbyllet i gjithë projekti i autostradës së kombit ndër më modernet në rajon dhe që do ti jep një pamje evropiane dhe perëndimore Republikës së Kosovës, theksoi Thaçi.
Më tutje Thaçi ka thënë se ky është projekt i rritjes së mirëqenies sociale, hapjes së vendeve të reja të punës dhe është projekti i Kosovës së re, Kosovës evropiane.