Autostrada Rrëshen-Kalimash, kalimi me pagesë
Tiranë, 20 nëntor - Pas vendimit të fundit të marrë nga qeveria shqiptare për të dhënë me koncesion të gjitha rrugët, pritet që në ditët në vijim të nisin edhe diskutimet mbi kushtet e dhënies së këtyre veprave publike.
Rruga Rrëshen-Kalimash, pjesë e autostradës Durrës-Kukës pritet të jepet me koncesinon nga qeveria shqiptare, ndërsa në janar parashikohet të hapet tenderi për përzgjedhjen e firmës private e cila do të mirëmbajë tunelin e Thirrës prej 6 km.
Sipas gazetës Shqip projekti për dhënien me koncesion të kësaj vepre publike mes qeverisë shqiptare dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare, i firmosur në janar të këtij viti. Kjo korporatë ka kryer studimin mbi eficiencën e rrugës dhe shpenzimeve që nevojiten për mirëmbajtjen, ndërsa pritet që termat e projektit miratohen në qeveri dhe më pas të kalohet në hapjen e tenderit.
Mësohet se tarifat për kalimin në këtë rrugë do të jetë 5 euro për autoveturat dhe 10 euro për mjetet e rënda, si autobusët apo kamionët.
Burime konfidenciale nga të dyja kampet kanë bërë të ditur për këtë gazetë se tarifat do të variojnë nga 5 deri në 10 euro, në varësi të mjetit, ndërsa në tunel do të instalohet një pajisje elektronike që bën të mundur identifikimin e kartës dhe pagesën e detyrimit, i cili shlyhet vetëm nga drejtuesi i mjetit.
Mirëmbajtja e rrugës Rrëshen-Kalimash deri tani është bërë nga buxheti i Drejtorisë së Rrugëve e cila ka akorduar një fond vjetor rreth 2 milionë euro, që shkojnë për kosto operative të ndryshme, ndërsa sa i takon dëmtimeve të aksit, vijon të mbetet nën mbikëqyrjen e kompanisë turke.
Duke pasur parasysh tarifat prej 5-10 euro dhe me mesataren e mjeteve që kalojnë në ditë, qeveria mund të mbledhë vetëm nga tuneli rreth 13 milionë euro në vit, e ardhur kjo që del më pak se 10 për qind e normës së amortizimit në një vit, pasi tuneli ka kushtuar rreth 280 milionë euro.
Sipas të dhënave nga Ministria e Transporteve në këtë rrugë rezulton një trafik prej 12 000 mjetesh në verë dhe 4000 në dimër, pra mesatarisht 7500 mjete.
Rruga Rrëshen-Kalimash është një nga veprat më të mëdhaja të ndërtuara gjatë këtyre viteve nga ku u shpenzuan 826 milionë euro, ku kostoja e tunelit arriti në rreth 280 milionë euro.