Autostrada Prishtinë - Shkup, punimet nisin më 10 qershor
Prishtinë, 4 qershor - Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi i shoqëruar nga partnerët e koalicionit, ka vazhduar fushatën në Ferizaj, ku ka premtuar se më 10 qershor do të fillojë ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup.
Më 10 qershor në ditën e Lidhjes së Prizrenit, në 15 vjetorin e çlirimit të Kosovës, do të fillojë ndërtimi i autostradës Prishtinë-Ferizaj-Kaçanik-Han i Elezit. Ferizaj do të jetë një prej qendrave më të fuqishme ndërmjet dy kryeqyteteve tona, Prishtinës e Shkupit, ka thënë Thaçi, para mijëra simpatizantëve në sheshin e qytetit Adem Jashari.
Po ashtu, ai ka premtuar se gjatë mandatit të ardhshëm do të investojë 20 milionë euro për ndërtimin e Spitalit rajonal.
Do ti investojmë 20 milionë euro për Spitalin rajonal të Ferizajt, dhe ndërtimi i tij do të fillojë pas rishikimit të buxhetit, ka thënë Thaçi. Më këtë rast ai ka uruar qytetarët e Ferizajt për fitoren e PDK-së më 8 qershor.
Sot i gjithë Ferizaj është quar në këmbë për fitoren e madhe të PDK-së. Prandaj më lejoni që nga ky Shesh i shenjtë Adem Jashari, të uroj fitoren e PDK-së, Ferizajt dhe gjithë Kosovës. Urime!, ka deklaruar Thaçi.