23 Dhjetor 2024

Autostrada Prishtinë-Shkup nis në fund të vitit

Prishtinë, 13 prill - Ministria e Infrastrukturës premton të mos vonojë në ndërtimin e autostradës së dytë, atë Prishtinë-Han i Elezit dhe se kjo do të ndodhë më së largu në fillim të vitit të ardhshëm.

Ky zotim i saj vjen me gjithë që Fondi Monetar Ndërkombëtar(FMN) e ka paralajmëruar Qeverinë se nuk mund të hyjë në obligime financiare pa e përfunduar ndërtimin e autostradës së parë, atë Merdar-Morinë.

Megjithatë, pas kësaj vërejtjeje diçka ka ndërruar, e sidomos qasja ndaj financimit të ndërtimit të saj. Drejtues të këtij dikasteri qeveritar tashti po deklarojnë se ndërtimi i autostradës së dytë kosovare nuk do të bëhet vetëm me paratë e buxhetit, ashtu siç ishte thënë në fillim, porse do të gjenden alternativa për këtë.

Lah Nitaj, këshilltar politik në Ministri të Infrastrukturës, ka deklaruar se nuk do të ketë kurrfarë vonesash në ndërtimin e autostradës drejt Shkupit. Ai pohon se autostrada Prishtinë – Han i Elezit, e quajtur edhe “Rruga 6”, do të nisë të ndërtohet më së largu në fillim të vitit 2013, porse kjo mund të ndodhë edhe më herët, në fund të këtij viti.

“Gjatë vitit 2012 do të përfundohen të gjitha procedurat, siç është shprehja e interesit për kompanitë që do ta ndërtojnë atë, do të finalizohet edhe pakoja tenderuese, dhe në fund të bëhet edhe përzgjedhja e kompanisë fituese”, është shprehur Nitaj.

Ndërkohë, sipas tij, Qeveria bashkë me organizmat financiarë ndërkombëtarë janë duke i identifikuar rrugët dhe alternativat më të mira për financimin e saj. E ato janë mundësitë jashtëbuxhetore, ka thënë Nitaj.

Ai ka pohuar se ndërtimi i kësaj autostrade ka një kosto prej afro 600 milionë euro, ashtu edhe siç është paraparë me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2012-2014. Por ka shtuar se kostoja finale do të dihet tek pas konkurrimit të kompanive në tenderin për shprehje të interesit.

Nitaj ka mohuar se janë ndryshuar afatet kohore për ndërtimin e saj, meqë në KASH 2012-2013 shkruan qartë se “Fillimi i ndërtimit të Rrugës 6 Prishtinë-Shkup, në vlerë prej mbi 600 milionë eurosh, supozohet të fillojë nga tremujori i fundit i vitit 2012, ndërsa projekti në tërësi pritet të përfundojë brenda afatit trevjeçar”.

Projekti për realizimin e autostradës Prishtinë – Han i Elezit është prezantuar në vitin 2010. Është thënë se ajo do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash, ndërsa do të ketë dy tunele, ku më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2. 2 kilometra.

/KD/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)