Autostrada për në Shkup nis me paratë e PTK-së
Prishtinë, 20 korrik - Ndërtimi i autostradës Prishtinë - Shkup mund të nisë vetëm pasi të arrijnë në vend paratë nga shitja e Postë-Telekomit të Kosovës (PTK).
Kështu thuhet në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, duke shtuar më tej se gjithashtu duhet të dihet edhe kostoja e saktë e autostradës tjetër që është në ndërtim e sipër, përkatësisht autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, shkruan sot "Zëri".
Ndërtimi i autostradës për Maqedoni, që të futet në një kornizë të qëndrueshme buxhetore, qeveria duhet të hyjë në zotime kontraktuale vetëm atëherë kur autostrada me Shhqipërinë është afër përfundimit dhe të bëhet pranimi i mjeteve nga shitja e PTK-së, thuhet ndër të tjera në këtë raport.
Zotimin për integrimin e autostradës për Shkup në një kornizë të qëndrueshme buxhetore e jep edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në të ashtuquajturën Letra e Qëllimit dërguar më 27 qershor 2012, shefes së FMN-së, Christine Lagarde.
Në këtë letër Thaçi më tej shkruan se analiza për opsionet e financimit të kësaj autostrade është në vazhdim e sipër.