Autostrada me Shkupin përfundon në vitin 2018
Prishtinë, 15 nëntor - Sot ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, priti ambasadorin e Maqedonisë në vendin tonë, Ilija Strasevski, me të cilin diskutoi për çështjet që u përkasin të dy vendeve, në radhë të parë për fushat që janë kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës.
Në fillim të takimit ministri Pal Lekaj falënderoi ambasadorin Strashevski për vizitën e sotme Ministrisë së Infrastrukturës, për të biseduar më pastaj kryesisht rreth sfidave dhe mundësive të bashkëpunimit në mes të dy shteteve lidhur me çështjet infrastrukturore, fushë kjo në të cilës ministri Lekaj tha se ekzistojnë vështirësi të caktuara, por se ne mundohemi që të arrijmë t’i tejkalojmë ato dhe t’i përmbushim kërkesat e qytetarëve.
Sa u përket raporteve ndërshtetërore, ministri Lekaj tha se ne jemi vende mike dhe se shpreson që bashkëpunimin që kemi pasur deri tash të vazhdojë për të mirën e qytetarëve të të dy vendeve tona.
“Unë jam i bindur se autostrada, e cila lidh Prishtinën me Shkupin, do të përfundojë në vitin 2018, por besoj se do t’ia dalim t’i riaktivizojmë hekurudhat me ndihmën e financimit nga BERZH-i. Këto do të kenë impakte pozitive për qytetarët e dy të vendeve, si në planin e lëvizjes së lire, po ashtu edhe në transportin e mallërave, që do të ndikojë drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik të të dy vendeve”, tha ministri Lekaj.
Ndërkaq, ambasadori i Maqedonisë, Ilija Strashevski tha se Kosova dhe Maqedonia, si dy shtete fqinj, kanë pasur marrëdhënie të mira dhe se synim i përbaskët është integrimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
“Bashkëpunimi shumë herë ka qenë i mirë, por ka ende hapësirë për të punuar. Sa i përket rrugës së pjesës së Maqedonisë, ne kemi mbetur që të ndërtojmë rrugën nga kufiri, pra nga Hanit i Elezit deri në unazën e Shkupit, që lidhet me qendrën e Shkupit, që ka gjithësej 13 km. Për momentin, për këtë pjesë është duke u punuar në pjesën e studimit të fizibilitetit, por do të ishte mirë që edhe linjat hekurudhore Kosovë-Maqedoni të përmirësohen, sepse do të ndikojnë në lehtësimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe transportit të mallërave, ku ne presim të nënshkruajmë marrëveshje bashkëpunimi në këtë drejtim”, tha në fund të takimit ambasadori Strashevski.