02 Maj 2024

Austria ia dhuroi tre vagonë Hekurudhave të Kosovës

Prishtinë, 15 korrik - Sot në një ceremoni të mbajtur në stacionin qendror hekurudhor në Fushë-Kosovë u bë pranim-dorëzimi i tre vagonëve të udhëtarëve, të cilët Hekurudhat Austriake ia dhuruan Hekurudhave të Kosovës.

Në ceremoni të pranishmit i përshëndeti kryeshefi ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj, i cili falënderoi Hekurudhat Austriake për vagonët e dhuruar.

Një fjalë rasti mbajti edhe kryetari i Bordit të Drejtorëve, Sejdi Hoxha, ndërsa ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, pasi çmoi lart dhuratën e Hekurudhave Austriake, foli për projektet e rëndësishme në të cilat është duke vepruar Ministria e Infrastrukturës në drejtim të zhvillimit të sektorit hekurudhor.

- Ministria e Infrastrukturës ka një qasje shumë serioze edhe në zhvillimin dhe ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore. Falë angazhimeve tona kemi arritur që linjën hekurudhore veri-jug, e cila lidh Kosovën me Serbinë dhe Maqedoninë, ta fusim si prioritet në kuadër të korridoreve panevropiane me emrin Linja X Hekurudhore. Falë angazhimeve tona, vitin e kaluar është kryer edhe studimi i fizibilitetit, e më vonë edhe projekt-dizajni për modernizimin e kësaj linje hekurudhore, studim ky i financuar nga IPF-ja, respektivisht Komisioni Evropian.\"

\"Unë besoj se tani janë hapur mundësitë reale për investimet e jashtme në këtë linjë hekurudhore, e cila do të përdoret për transportin e mallrave dhe udhëtarëve dhe do të jetë si urë lidhëse me vendet e rajonit dhe ato të Evropës, - tha në vazhdim të fjalës së tij ministri Mujota.

- Muajin e kaluar, nga Komisioni Evropian kemi marrë aprovimin për financimin e studimit të fizibilitetit edhe për tri projekte shumë voluminoze në sektorin hekurudhor.

Fjala është për studimin e fizibilitetit dhe projekt-dizajnet për modernizimin e të gjitha linjave tjera hekurudhore (linjës Fushë-Kosovë – Podujevë, linjës Fushë-Kosovë – Klinë – Pejë dhe linjës Klinë – Prizren), - tha në përmbyllje të fjalës së tij ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, i cili i informoi të pranishmit edhe për angazhimet e MI për ndërtimin e institucioneve përkatëse dhe për zhvillimin e politikave sektoriale në fushën e transportit hekurudhor.

Pas ministrit Mujota, në ceremoninë në stacionin qendror të HK në Fushë-Kosovë foli edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj dhe përfaqësuesi i Hekurudhave Austriake, Horst Tiefenthaler.

Në fund të kësaj ceremonie rasti, kryeshefi ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës, Xhevat Ramosaj, i nderoi me mirënjohjes Hekurudhat Austriake, përfaqësuesin e HA, Horst Tiefenthaler dhe zonjën Bege Zukaj, që ishin iniciatorë të dhurimit të vagonëve për Hekurudhat e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)