ASHNA bëhet me tre parashikues meteorologjik aeronautik
Prishtinë, 5 shtator - Ky trajnim është bërë në përputhje me kërkesat për edukim dhe trajnim të Organizatës Botërore të Meteorologjisë (OBM) dhe Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ONAC).
Me këtë rast, Drejtori i ASHNA-së Bahri Nuredini, punonjësit e çertifikuar i përgëzoj për suksesin e treguar gjat trajnimit, duke kërkuar nga këta të fundit që njohurit e marra nga ky trajnim, t`i përdorin në mënyrë sa më efikase në shërbim të agjencisë.
Nga ana tjetër, punonjësit e çertifikuar theksuan se, për pesë muaj sa edhe ka zgjatë trajnimi, janë pajisur me njohuri nga fusha e meteorologjisë me theks të veçantë meteorologjisë aeronautike, ku në grupin e përbërë nga studentë nga Mbretëria e Bashkuar, Hong Kongu, Indonezia dhe Uganda, studentët nga ASHNA kanë qenë ndër më të dalluarit.
Kurse Menaxheri i Divizionit Meteorologjik Sherif Gosalci, duke shprehur kënaqësinë për pasurimin e divizionit të cilin ai e udhëheq edhe me tre Parashikues Meteorologjik Aeronautik, tha se këta punonjës në vazhdim do ti nënshtrohen fazës së praktikës në punë, para vlerësimit të kompetencës që do të ndodhë në fillim të vitit 2017, kur edhe pritet që të fillojnë me dhënien e shërbimeve meteorologjike aeronautike, shërbime këto të një rëndësie të veçantë në kuadër të Shërbimeve të Navigacionit Ajror.
Ngritja e kapaciteteve njerëzore profesionale është në vazhdën e përmbushjes së kërkesave dhe nevojave kadrovike aeronautike të ASHNA-së, për marrjen e përgjegjësive të reja në menaxhimin e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës.