Asfaltohet rruga që lidh magjistralen Mitrovicë-Pejë
Mitrovicë, 17 shtator - Është asfaltuar të premten rruga që lidh magjistralen Mitrovicë-Pejë, në afërsi të ambulancës së Shipolit në drejtim të fshatit Vaganicë, një prej rrugëve që ishte shfrytëzuar shumë nga ushtarët e UÇK-së gjatë luftës dhe ku kishin kaluar shumë banorë të anëve të ndryshme të rajonit të Mitrovicë gjatë ofensivave të ushtrisë serbe.
Rëndësia e kësaj rruge vlerësohet si shumë e rëndësishme për banorët që jetojnë aty, veçanërisht për fëmijët që vijojnë mësimin në shkollën e Shipolit.
Përveç asfaltimit të rrugës, zyrtarët komunalë sqarojnë se aty është kryer edhe infrastruktura tjetër e nevojshme.
Rasim Veseli, drejtor i Infrastrukturës dhe Shërbimeve Publike në komunën e Mitrovicës, tha se në këtë rrugë të gjatë rreth 700 metra janë kryer edhe kanalizimi i ujërave atmosferike dhe ai i ujërave të zeza, përderisa pas asfaltimit do të kryhet edhe trotuari.
Drejtori Veseli tha se i gjithë projekti prej rreth 200 mijë eurosh është financuar nga Komuna e Mitrovicës me mjete vetanake, ndërsa punimet është duke i kryer kompania Metibenz.