Asfaltohet rruga e Lushtes
Mitrovicë, 27 tetor - Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Safet Kamberi dhe drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Blerim Baruti, ka marrë pjesë në fillimin e asfaltimit të rrugës në fshatin Lushtë të Komunës.
Kryetari Bahtiri është shprehur të jetë i kënaqur me ciësinë dhe dinamikën e punëve që po i kryente operatori NN Shkëmbi, nga Drenasi.
Ai tha se prej se ka ardhur në krye të komunës, realizimi i projekteve kapitale ka qenë prioritet për të dhe se në këtë drejtim janë arritur rezultate të mira edhe në fushën e infrastrukturës rrugore, si në qytet, ashtu edhe nëpër fshatra.
Qëllimi ynë është që të rregullojmë infrastrukturën rrugore dhe të kryejmë shërbime të tjera të cilat i kërkojnë qytetarët, me qëllim që të përmirësohet cilësia e jetës së tyre dhe besoj se për këta 10 muaj kemi bërë punë të mira e deri në fund të viti do të ketë akoma rezultate të tjera në dobi të qytetarëve, ka thënë ai.
Drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Blerim Baruti tha se rruga e cila po asfaltohet ka një gjatësi prej 600 metra dhe gjerësi prej 5 metra, ndrysa trashësia e asfaltit është tetë centimetra.
Vlera e punëve kap shumën prej 75.000 euro. Është një kosto shumë më e ulët, në krahasim me kostot e përparme për rrugët e këtilla. Për këta 10 muaj të qeverisjes sonë kemi rregulluar 24 rrugë urbane dhe rurale, duke i shtruar në kubëza apo asfaltuar. Është duke u punuar edhe në rregullimin e 10 rrugëve të tjera dhe besoj se ato do të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Gjithsesi jemi të kënaqur me këtë që kemi bërë në dobi të qytetarëve të komunës, tha ai.
Ndërsa, drejtori i operatorit ekonomik NN Shkëmbi, që po e asfalton rrugën, Ibrahim Kurrumeli, tha se punët në asfaltimin e rrugës po shkojnë mirë dhe se dinamika është duke u respektuar plotësisht. Ai tha se beson që punët në tërësi do të kryhen para afatit prej 59 ditësh dhe se janë duke u respektuar të gjithë parametrat e paraparë me kontratë.