ART, vendim për sanksionimin e vjedhjes SIM to SIM
Prishtinë, 11 mars Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit (ART) përmes një njoftimi ka bërë të ditur së pas shqyrtimit të zhvillimeve në tregun e telekomunikimeve në Republikën e Kosovës ndërlidhur me dukurinë e vjedhjes së trafikut dhe e nisur nga objektivi i jetësimit të një tregu të zhvilluar e konkurrent për shërbime telekomunikuese ka nxjerr udhëzimin gjegjësisht vendimin nr. 10, datë; 10 mars 2010 ka përkufizuar dhe sanksionuar fenomenin e vjedhjes së trafikut si veprim ilegal dhe të sanksionueshëm dhe si autoritet ka paralajmëruar të gjitha operatorët dhe ofruesit e shërbimeve se ART në bashkëpunim me institucionet e zbatimit të ligjit do ndërmarrë gjitha masat e duhura kundër të gjithë përdoruesit e trafikut të paligjshëm sipas ligjeve të përshkruara.
"ART, duke pasur interesin e qytetarit prioritetin më të lartë dhe rendësin e shërbimeve telekomunikuese me kualitet adekuat për aktivitet e tyre ditore private dhe ndërmarrësi, ART ka mbledhur të dhëna të mjaftueshme, të cilat kërkohen me ligjet ne fuqi për konstatim të bazuar që në disa mënyra qytetari i Republikës së Kosovës ballafaqohet me ofertë për shërbime telekomunikuese nga ndërmarrje, grupe dhe individë te cilët nuk kanë autorizime/licencë adekuate nga ART si dhe ofrues të cilat ofrojnë shërbime telekomunikuese me kualitet jo adekuat duke shfrytëzuar teknologjitë të cilat nuk përmbushin kriteret e nevojshme të kualitetit nga pika në pikë si dhe nuk janë të lejuara të përdoren në Republikën e Kosovës", thuhet në njoftimin e ART-së.
ART duke administruar këtë udhëzim dhe vendim ka krijuar dhe mundësuar që operatorët dhe institucionet e zbatimit të ligjit por edhe qytetarët të luftojnë dukurinë në mënyrë më efikase dhe me bazë legale gjegjësisht statusore. Operatorët dhe ofruesit e shërbimeve tani e tutje mund të ndërmarrin veprimet e duhura kundër çdo klienti te përfshire ne SIM-to_SIM duke bërë të paligjshme veprimtarinë dhe iniciojnë procedurat e denoncimit para organeve të zbatimit të ligjit.
ART-ja rikujton qytetaret që ekskluzivisht të shfrytëzoj shërbime telekomunikuese të cilat ofrohen nga operatoret dhe ofruesit e shërbimevetelekomunikuese të cilët kanë autorizim/licencë adekuate nga ART, përndryshe
institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të mbajnë përgjegjësi për pasojat eventuale gjatë aktiviteteve ditore për jetësim të ligjeve në fuqi.
Në anën tjetër, ART rikujton dhe fton ndërmarrjet, grupet ose individët të cilët direkt ose indirekt janë të përfshirë në manipulimin e trafikut me efektin SIM-to-SIM që të ndërpresin aktivitetet e tilla, përndryshe masa rigoroze sanksionuese ndaj personave juridik dhe fizik do të jenë të pashmangshme.
Të gjitha këto masa kanë synim krijimin e një ambienti adekuat për investime, mbrojtjen e investimeve ekzistuese, orientimin e zgjedhjes së qytetarit drejtë kualitetit të shërbimeve telekomunikuese për të cilat ai paguan si dhe ruajtjen dhe avancimin e mëtutjeshëm të konkurrencës në sektorin e shërbimeve telekomunikuese.