ART, operacioni i sukseshëm, por pa qasje në Veri
Prishtinë, 26 prill - Autoriteti Rregulltiv i Telekomunikacionit (ART) e konsideroi të suksesshëm operacionin e eliminimit të antenave që i shfrytëzonin operatorët ilegalë të telefonisë mobile nga Serbia., por nuk paraqiti ndonjë plan për një aksion të ngjashëm edhe në veri të Kosovës, ku operimi i telefonisë mobile nga Serbia vazhdon pa pengesa.
Megjithatë sipas tyre, ky aksion nuk kishte për cak edhe antenat në veri të vendit. Ekrem Hoxha, kryetar i bordit të ART-së, tha se aksioni në parim mbetet i hapur, meqë janë autorizuar matjet për të konstatuar në detaje efektin e aksionit.
Sipas tij, aksioni ka pasur cak 28 stacione bazë, në 2 nga të cilat ka pasur probleme teknike, por që megjithatë është arritur efekti i dëshiruar.
"Nga këto 28 stacione, 26 prej tyre tashmë janë eliminuar", ka theksuar kryetari i bordit te ART-së, Ekrem Hoxha. Sipas tij, pas heqjes së antenave, tanimë në pjesën më të madhe të Kosovës nuk ka më sinjal nga këta operatorë nga Serbia.
Puna nuk është përfunduar deri në detaje, por efekti është arritur. ART-ja menjëherë do ti realizojë matjet në nivel të Republikës, për të konstatuar efektin apo matjet konkrete se si ka ndikuar kjo në tregun e shërbimeve të telefonisë mobile, për të konstatuar se sinjali është i eliminuar apo ka një dobësi shumë të ulët, domethënë, nuk mund të realizohen thirrjet, tha Hoxha.
Operacioni nuk ka përfshirë edhe pjesën veriore të Kosovës. Atje, serbët e revoltuar kanë dëmtuar antenat e operatorëve legal, si Ipko dhe Vala. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Kadri Arifi, tha se policia do të jetë në mbështetje të ART-së nëse vendoset heqja e antenave edhe në veri, si dhe do të angazhohet që stacionet e operatorëve legalë të sigurohen.
Sa i përket sigurisë së infrastrukturës fizike të operatorëve legalë, ne i kemi ndërmarrë disa masa për sigurimin e tyre, aty ku ne kemi pasur informacion se mund të jenë cak i ndonjë aktiviteti kriminal, kështu që ne vazhdojmë me punën tonë, tha Arifi.
Marrë parasysh se telefonia mobile serbe është shfrytëzuar nga komuniteti serb në Kosovë, serbët sot kanë paralajmëruar protesta, fillimisht në Graçanicë.
Lidhur me kërcënimet Beogradit që janë bërë për ndërprerjen e internetit, kjo nuk shihet si ndonjë problem, sepse siç thonë ata operatorët legal në Kosovë kanë alternativa të tjera.
Lulzim Kurtaj, anëtar i Bordit të ART së, lidhur me kërcnimet e Serbisë për ndërprerje të internetit, ka thënë se një veprim i tillë i Beogradit është mjaft i kufizuar, pasi operatorët e internetit në Kosovë kanë ofruar alternativën për tÆu furnizuar me internet, dhe si e tillë kjo tregon tendencë të Beogradit, por jo edhe mundësi reale.
Zyrtarë të ART-së megjithatë nuk treguan edhe sa antena kanë mbetur të pa çkyçura, por thanë se janë disa. Këta zyrtar u shprehën të bindur se Serbia nuk do të hakmerret duke ndërprerë prefiksin 381 për Kosovën, pasi që kjo çështje sipas tyre është ndërkombëtare.