Arkat fiskale të PTK-së jashtë funksionit
Prishtinë, 6 nëntor - Një nga shitëset e shërbimeve të telefonisë mobile Vala, në pikën shitëse te Qafa, kur i kërkohet nga klienti kuponi fiskal, thotë se i kanë arkat, por nuk u punojnë.
Kryeshefi i PTK-së ia hedh përgjegjësinë Postës, por burimet e gazetës Kosova Sot thonë se Ejup Qerimi duhet të përgjigjet për këtë çështje
Të gjitha pikat e shitjes së Postës dhe Telekomit të Kosovës janë të pajisura me arka fiskale që nga viti i kaluar, por nuk i aplikojnë ato.
Në të gjitha këto pika shitëse të PTK-së, gjatë ofrimit të shërbimeve, qoftë postare mobile dhe të telekomit, arkat fiskale janë jashtë funksionit.
Kështu të gjitha njësitë e PTK-së që më shumë se gjysmë viti i shmangen Administratës Tatimore të Kosovës, duke mos e regjistruar shërbimet fiskale.
Ky fakt është vërtetuar nëpër disa pika të Valës, ku pasi që kryhen shënimet punëtorët nuk ua japin konsumatorëve kuponët fiskalë.
Një nga shitëset në pikën shitëse te Qafa, kur i kërkohet nga klienti kuponi fiskal, thotë se i kanë arkat, por nuk punojnë.
Jo, faturat i kemi, mirëpo kupon fiskal jo. Arkat i kemi të vendosura, por nuk kemi pasur asnjëherë kuponë fiskalë, ka thënë një nga punëtoret.
Për këtë çështje gazeta është munduar të marrë përgjigje nga menaxhmenti i PTK-së, por nga kjo korporatë nuk kemi marrë përgjigje me shkrim, përveç një komunikimi me menaxherin e përgjithshëm, Ejup Qerimi, përmes telefonit.
/Kosova Sot/