Aprovohet garancia shtetërore për autobusët e Prishtinës
Prishtinë, 16 qershor - Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për dhënien e garancisë shtetërore për marrjen e kredisë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e Ndërmarrjes Publike Trafiku Urban në Prishtinë. Duke prezantuar këtë vendim, ministri i Financave Abdullah Hoti tha se kjo marrëveshje është negociuar nga ekipi i kryesuar nga Ministria e Financave, dhe ka për qëllim garantimin e kredisë që Trafiku Urban planifikon të marrë, për financimin e blerjes së 51 autobusëve.
\"Për këtë kredi tani kemi autorizimin me shkrim nga ana e Kuvendit Komunal të Prishtinës, si aksionare e kompanisë, se në rast të pamundësisë financiare të kompanisë, komuna do të siguroj fondet e nevojshme për shërbimin e borxhit. Kredia ka vlerë prej 10 milionë euro dhe tërheqja bëhet në valutën euro. Kredia karakterizohet me maturitet 12 vjet, me dy vite grejs periudhë, dhe dhjetë vite tjera të amortizimit të kredisë me normë interesi prej 1 për qind. Mund të procedojmë me nënshkrimin e garancisë, na duhet aprovimi i Qeverisë si propozim vendim për dhënien e kësaj garancie shtetërore për marrjen e kredisë nga BERZHI-i, tha ministri Hoti.
Edhe vendimi për t\'i rekomanduar presidentit që të autorizojë nënshkrimin e marrëveshjes është aprovuar sot në mbledhjen e Qeverisë.
Kryeministri Isa Mustafa tha se procedura është që të autorizohet ministri nga Presidenti i Republikës dhe se kjo është çështje shumë më serioze sesa që disa po e diskutojnë në publik.
\"Pasi të bëhet autorizimi duhet të Qeveria ta aprovoj Ligjin, i cili ligj pastaj duhet të aprovohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës me 2/3. Kjo është procedura. Por tani në këtë fazë ne duhet ta marrim autorizimin e Presidentit që ministri të nënshkruaj marrëveshjen\", tha kryeministri Mustafa.