22 Dhjetor 2024

ANP, Udhëtari i 1 milionët kaloi në shtator

Prishtinë, 6 tetor - Vitin e kaluar udhëtari i një milionët kaloi nëpër Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës më datë 25 tetor,  ndërsa këtë vit deri në fund të muajit shtator, numri i udhëtarëve shkoi në mbi  1 milionë e 8 mijë udhëtarë.

Kjo statistikë paraqet një rritje prej mbi 85 mijë udhëtarëve, apo shprehur në përqindje gati rreth 10 për qind më shumë për këtë periudhë nëntëmujore.

Deri në fund të muajit Shtator të vitit 2009, nëpër ANP kaluan 923 mijë udhëtarë ndërsa i gjithë viti u mbyll me rreth 1.2 milionë udhëtarë.

Gjatë këtij viti parashihet që numri i udhëtarëve të kaloj shifrën prej 1.3 milion pasagjerëve, çka paraqet arritje të madhe duke pasur parasysh se vetëm para dy viteve në këtë kompani, saktësisht në Nëntor 2008 qe festuar për herë të parë në historinë e kompanisë kalimi i udhëtarit të 1 milionët, duke e shpërblyer atë me një biletë falas dhe duke u trajtuar si eveniment shumë i veçantë.

“Vetëm për dy vite kemi një rritje prej gati 400 mijë udhëtarëve gjë që përbën veçanti jo vetëm për regjionin por dhe më gjerë. E gjithë kjo u arrit në saje të punës së madhe të të gjithë punëtorëve të ANP-së, duke krijuar kushte për shtimin e konkurrencës në mes aviokompanive me sjelljen e aviokompanive të reja në treg, çka normalisht solli rënien e çmimit të biletave dhe automatikisht rritjen e numrit të udhëtarëve”, tha Drejtori Menaxhues i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Agron Mustafa.

Sipas tij, rënia e çmimit të biletave gjatë këtyre dy viteve ka mundur të vërehet nga secili bashkatdhetar.

“Para ca ditësh dëgjova një histori interesante. Një qytetar i yni që jeton në Prishtinë  dhe ka gruan zvicerane ja bëri surprizë gruas së tij për ditëlindjen e saj, pa e ditur ajo më parë, sjelljen në Kosovë në mënyrë të befasishme të nënës dhe dy shoqeve të saja si dhuratë për ditëlindje. E gjitha kjo për vetëm 300 franga me njërën prej aviokompanive prezentë në ANP. Deri para disa kohës kjo ka qenë e pamundur dhe do të kushtonte mijëra euro”, pohoi Mustafa, duke ilustruar një shembull të rënies së çmimit të biletave dhe duke thënë se raste të tilla ka shumë.

Ndërsa, numri i fluturimeve krahasuar me periudhën paraprake të vitit të kaluar është rritur për rreth 6 për qind, apo shprehur në numra, gjatë këtyre 9 muajve janë realizuar 4642 fluturime nga 4383 fluturime qe ishin realizuar një vit më parë.

“Rritja e vazhdueshme e numrit të udhëtarëve dhe fluturimeve, si dhe potenciali që ky numër të shkojë pa problem deri në 2 milionë udhëtarë brenda një kohe të shkurtër me të njëjtat kapacitete që kemi, ishte faktori kryesor që erdhi një ofertë shumë e mirë për koncesion nga ana e një kompanie private, siç ishte ajo e kompanisë konzorciumit turko-françez, Limak-Aeroport de Lyon e cila ka ofruar mesatarisht për Republikën e Kosovës rreth 39 për qind të të hyrave bruto dhe investimin e më shumë se 100 milion eurove gjatë 20 viteve të ardhshme”, tha Mustafa.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)