ANP, të gjithë punëtorët janë të garantuar për punë
Prishtinë, 9 shkurt - Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari , nuk kanë asnjë arsye të frikësohen se do të mbeten pa punë, pas kalimit të kompetencave nga Aeroporti tek konzorciumi Limak-Lion.
Kryetari i Bordit të Drejtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Bekim Jashari tha se personalisht dhe në emër të Bordit të Drejtorëve garanton këtë gjë.
Mund të garantoj që asnjë punëtor nuk do të dalë nga puna. Jam në kontakt të vazhdueshëm më kompaninë Limak-Lion dhe nuk është në planin e kompanisë për të nxjerrë nga puna asnjë punëtor. Përkundrazi, në Aeroport do të punësohen qindra punëtorë të tjerë në ndërtimin e terminalit dhe punët e tjera përcjellëse, tha Bekim Jashari, kryetar i Bordit të ANP-së.
Sipas tij, në këtë kontest Bordi i Drejtorëve ka marë vendim më herët që të gjithë punëtorët e ANP-së të paisen me kontrata valide trevjeçare.
Ndërsa, Drejtori Menaxhues i ANP-së, Agron Mustafa, tha se nuk ka vend për panikë.
Asnjë punëtor i Aeroportit nuk duhet të frikësohet, sepse qëllimi i Partneriteteve Private është modernizimi, zhvillimi dhe zgjerimi i kapaciteteve të ndërmarrjeve, në këtë rast të Aeroportit, që nënkupton edhe qasje të fuqisë punëtore të mjaftueshme për të qenë një Aeroport funksional. Po ashtu, besoj që qasja e koncesionarit nuk do jetë për të ulur numrin e punëtorëve por për zhvillim dhe modernizim të Aeroportit. Do të investohen rreth 100 milion euro në një terminal të ri prej 25 mijë metra katrorë, ndërkohë që numri i udhëtarëve po vjen duke u rritur vazhdimisht, tha Drejtori Menaxhues i ANP-së Adem Jashari, Agron Mustafa.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ka mbyllur vitin 2010 me 114 mijë udhëtarë më shumë se viti paraprak 2009, duke shënuar një rritje prej prej 9.5 përqind më shumë në numrin e udhëtarëve.
Në total numri i udhëtarëve gjatë 2010 shkoi në 1 milionë e 306 mijë udhëtarë nga 1 milionë e 192 mijë që ishte në 2009.
Ndërsa ky vit është edhe më premtues se viti i kaluar. Sipas statistikave vetëm gjatë Janarit të 2011 ka pasur 11 mijë udhëtarë më shumë se gjatë vitit 2010. Derisa gjatë vitit të kaluar në Janar ishin 96 mijë udhëtarë këtë janar janë 107 mijë udhëtarë ose një rritje prej gati 12 përqind.
Ndërsa numri i fluturimeve është rritur për 20 përqind.
Situata e tanishme është krejt ndryshe prej kohës kur ka filluar koncesionimi para dy viteve. Nga rreth 1 milion udhëtarë që kemi pasur, tani kemi mbi 1.3 milionë udhëtarë. Janë rreth 400 mijë udhëtarë më tepër.