Alitalia në grevë, preken me qindra fluturime
Romë, 13 dhjetor - Dita e sotme vjen me problemet për mjaft udhëtarë në Itali. Shtypi italian pohoi se është konfirmuar greva qe prek pilotët, asistentët e fluturimit dhe stafin në tokë të Alitalias dhe AirItaly që operojnë në vendin fqinj, si dhe shoqërive të menaxhimit aeroportual, ato të transportit të bagazheve e catering-ut.
Greva do të zgjasë 24 orë dhe prek të gjithë territorin e Italisë. Problemet do të shtrihen automatikisht edhe jashtë saj, duke përfshirë udhëtarë edhe në vende të tjera që kanë prenotuar me Alitalian, pa përjashtuar këtu edhe Shqipërinë. Greva është konfirmuar nga sindikatat e transportit ajror.
Prej saj preken me qindra fluturime, ndërsa ngërçi do të vazhdojë edhe mëngjesin e së shtunës.
Për këtë arsye, udhëtarët këshillohen të verifikojnë situatën e fluturimeve të tyre. Për ata që duhet të lëviznin mbrëmjen e 12 dhjetorit ose të shtunën në mëngjes, në rast modifikimi apo anulimi të fluturimit, do të jetë i mundur ndryshimi i prenotimit pa asnjë penalitet ose dhe rimbursimi i biletës, por kjo vetëm në rastet kur fluturimi është pezulluar apo ka pasur një vonesë prej më shumë se 5 orësh, thonë mediat vendase.
Protesta zhvillohet për shkak të krizës që ka përfshirë Alitalia e Air Italy, me qëllimin të kërkohet një reformë, që të ndërhyhet në konkurrencën mes sipërmarrjeve të sektorit, për norma specifike kundër dumping-ut kontraktual si dhe për financimin struktural të Fondit të Solidaritetit.