23 Dhjetor 2024

Aktivizohet KM nga Fatkeqësitë Natyrore në Mitrovicë

Mitrovicë, 7 shkurt - Për shkak të bllokimit nga bora të disa fshatrave dhe vendbanimeve, kryesisht në zonat malore, Komuna e Mitrovicës, ka rritur nivelin e gatishmërisë së të gjitha institucioneve lokale. Në këtë kuadër është aktivizuar edhe Komiteti për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera, që funksionon në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.   

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, tha të martën në takimin e parë të Komitetit për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera, se gjendja e krijuar si pasojë e borës së madhe dhe temperaturave të ulëta kërkon gatishmëri të të gjitha institucioneve. “Duke parë gjendjen e krijuar, kur vetëm gjatë natës së fundit nga bora janë bllokuar shumë fshatra, kryesisht në zonat e thella, kemi marrë vendim që të aktivizojmë  Komitetin për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera, me qëllim të koordinimit të të gjitha aktiviteteve ndërmjet institucioneve me qëllim të tejkalimit sa më të shpejtë të kësaj situate”.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, sqaroi se përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme që përfaqësohen në këtë Komitet, si Policia, FSK-ja, “Ujësjellësi”, KEK-u, mandej kompania “Uniteti” etj, duke përfshirë edhe drejtoritë komunale, do të përcjellin situatën për të koordinuar aktivitetet në terren. “Bashkërisht do të vendosim për aktivitet, në mënyrë që sa më mirë të menaxhojmë gjendjen e krijuar”.

Për gjendjen aktuale në terren, foli, Eset Shaqiri, ushtrues i detyrës së drejtorit të kompanisë “Uniteti”, që është përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve. Ai tha se “Uniteti”, ka kontraktuar edhe tri kompani shtesë për pastrimin e rrugëve nga bora. “Janë katër kompani gjithsej që janë duke punuar në terren vazhdimisht, mirëpo bora që ka rënë pa ndërprerë dhe e përcjellur me erë gjatë natës së fundit ka rënduar gjendjen”.

Shaqiri, theksoi se deri tash janë pastruar lagjet e veriut, si Kroi i Vitakut, Lagja e Doktorëve, Suhadolli etj, përderisa është duke u punuar në fshatrat e asaj ane. “Problemi më i madh është në fshatrat e thella malore të Shalës, kur trashësia e borës është e madhe, ndërsa era që fryn vazhdimisht bllokon rrugët shpejt edhe pasi që të pastrohen”.

Zyrtarët e KEK-ut dhe  “Ujësjellësit”, që ishin të pranishëm në takim, treguan se edhe në këto kompani punëtorët janë në gjendje mobile. Ramiz Osmani, përgjegjës i mirëmbajtjes së rrjetit në KEK për Komunën e Mitrovicës, tha se duke pasur parasysh kushtet klimatike furnizimi me energji është i mirë.

Ai apeloi tek qytetarët që të kursejnë energjinë, meqë për shkak të ngarkesës së madhe ka edhe shumë defekte. “Defektet e shpeshta po ndodhin si pasojë e ngarkesës së madhe. Ndërsa megjithë gatishmërinë e vazhdueshme të ekipeve, shumë herë ndërhyrja për të evituar problemet bëhet me vështirësi të mëdha në zonat malore për shkak të borës së madhe dhe pamundësisë  për të pasur qasje fizike”.

Kadri Istrefi, drejtor teknik i “Ujësjellësit rajonal”, tha se furnizimi me ujë është duke u bërë pa problem në të tri komunat, në Mitrovicë, Skenderaj dhe Vushtrri. Ai kërkoi nga zyrtarët e KEK-ut që t’i kursejnë nga reduktimet e rrymës, meqë në të kundërtën  mund të ngrihen gypat brenda fabrikës dhe si pasojë të krijohet në gjendje e rëndë.

Drejtori i Inspekcionit, Lulzim Zeqiri, ua ka përkujtuar pronarëve të subjekteve afariste dhe pronarëve të shtëpive pranë rrugës, që janë të obliguar për pastrimin e rrugëve para lokaleve apo shtëpive të tyre. Ndërsa drejtori për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale, Kastriot Jashari, tha se janë të gatshëm që t’i ndihmojmë me ushqime familjet që janë kanë mbetur pa furnizime.         

Në anën tjetër, përfaqësuesit e FSK-së dhe Policisë së Kosovës, janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim dhe ndihmë me të gjitha mjetet e tyre.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)