Airbus kërcënon me largim nga Britania e Madhe
Londër, 25 qershor - Gjiganti i aviacionit Airbus ka kërcënuar se do të largohet nga Britania e Madhe nëse vendi largohet nga Bashkimi Evropian pa arritur paraprakisht një marrëveshje rreth veprimtarisë së saj në të ardhmen.
Kompania e cila në 25 lokacione në Britani ka punësuar rreth 14 mijë njerëz thotë se do të "shqyrtojë praninë e saj afatgjate në vend", nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Airbus gjithashtu thekson se propozimi i marrëveshjes aktuale të tranzicionit, i cili vazhdon deri në dhjetor të vitit 2020 është tepër i shkurtër që kompania të riorganizojë zinxhirin e saj të furnizimit.
Kumtesa u publikua në bazë të vlerësimit të kanosjes së kompanisë nga Brexit-i, e cila u publikua të enjten.
"Në të gjitha skenarët Brexit ka pasoja serioze negative për industrinë e aviacionit të Britanisë së Madhe dhe Airbusit, prandaj duhet përshpejtuar masat urgjente lehtësuese", ka thënë Tom Williams, drejtori kryesor operativ i avionëve komercial Airbus.