AirAsia, rritet ndihma për kërkim-shpëtimit e avionit
Jakarta, 29 dhjetor - Operacioni i kërkim-shpëtimit për avionin e humbur të kompanisë \"AirAsia\" me 162 vetë në bord, që rezulton i humbur që nga mëngjesi i së dielës, ka rinisur të hënën në mëngjes, informojnë burime indoneziane.
\"Disa avionë dhe helikopterë janë nisur në drejtim të ujrave ku mendohet se ka humbur avioni, që nga ora 05.30 e mëngjesit sipas orës lokale,\" ka deklaruar zyrtari i Agjencisë Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit të Indonezisë, Ahmad Toha.
Një operacion kërkim-shpëtimi nisi të dielën në ujrat e Detit Java, ku avioni humbi kontaktin me tokën dhe në të bëjnë pjesë ekipe nga Indonezia, Singapori dhe Malajzia.
Të dielën në ora 17.00 të mbrëmjes operacioni u ndërpre për shkak të errësirës, ndërkohë të hënën Singapori dërgoi një tjetër avion të tipit C-130 si dhe një fregatë shtesë në operacionin e kërkimit të avionit të humbur.
Mësohet se dhe Forcat Ajrore të Australisë kanë dërguar një avion të tipit AP-3C Orion, në ndihmë të operacionit të kërkimit.
Avioni A320, i cili nisi fluturimin të dielën në mëngjes nga Surabaya e Indonezisë, në lindje të provincës Java ndërsa fluturonte me destinacion Singaporin humbi nga radarët kur kishte kryer rreth 42 minuta fluturim. Në bordin e avionit ndodheshin 155 pasagjerë dhe 7 anëtarë të ekuipazhit.