Air Canada pezullon fluturimet në Venezuelë
Otava, 18 mars - Kompania ajrore Air Canada ka pezulluar fluturimet për në Venezuelë, nga të dyja krahët, duke cituar shqetësimet në lidhje me sigurinë.
Air Canada theksoi se do të konsiderojë rikthimin e operimit ajror, sapo situata në Venezuelë të stabilizohet. Kompania operon me 3 fluturime vajtje-ardhje nga Toronto drejt Karakasit në javë.
29 persona nga të dyja palët e përfshira në trazirat politike kanë mbetur viktima gjatë protestave 6-javore në Venezuelë kundër inflacionit të lartë, krimit dhe mungesës së shumë ushqimeve bazë.
Për shkak të trazirave civile të vazhdueshme në Venezuelë, Air Canada nuk mund të garantojë më sigurinë e operacioneve të saj, ndaj dhe ka pezulluar fluturimet me Karakasin deri në një njoftim të dytë, njoftoi kompania ajrore kanadeze nëpërmjet një deklarate.
Sipas saj, klientët që nuk e kanë kryer ende udhëtimin e tyre, por që kanë bërë prenotimet dhe kanë prerë biletat mund të marrin kompensimet. Ndërkohë që disa të tjerë prej tyre mund të ribëjnë prenotimet në kompani të tjera ajrore.
Disa kompani ndërkombëtare ajrore kanë reduktuar operacionet në Venezuelë gjatë javëve të fundit, por ankesa më e madhe e tyre qëndron në faktin e kontrollit tepër të ashpër të monedhave të huaja nga qeveria e Nicolas Maduro. Kompanitë ndërkombëtare ajrore thonë se qeveria e tij u detyrohet atyre më shumë se 3 miliardë dollarë.
Kontrolli i rreptë ndaj valutave e bën edhe më të vështirë për kompanitë ajrore të huaja që të riatdhesojnë paratë e siguruara prej shitjes së biletave në Venezuelë.