Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror certifikohet si organizate trajnuese
Prishtinë, 19 dhjetor - Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA), u certifikua si organizatë trajnuese nga ana e Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AACK).
Ky certifikim paraqet kurorëzimin e një procesi të gjatë të angazhimit të ASHNA-së në përmbushjen e kërkesave të paraqitura me rregulloret përkatëse vendore dhe ndërkombëtare.
Pas auditeve dhe bashkëpunimit të afërt, AACK vlerësoi përmbushjen e këtyre standardeve përmes certifikimit të ASHNA-së si organizatë trajnuese.
Në këtë ceremoni rasti, e cila u zhvillua në ambientet e ASHNA-së, Drejtori i AACK-së z.Dritan Gjonbalaj me bashkëpunëtor i dorëzoi ASHNA-së certifikatën e organizatës trajnuese dhe përgëzoi menaxhmentin dhe gjithë stafin për rezultatet e arritura.
Drejtori i ASHNA-së, Bahri Nuredini gjithashtu falënderoi gjithë punëtoret e ASHNA-së dhe AACK-në për punën dhe përkushtimin e treguar në përmbushjen e kritereve të kërkuara për certifikim si organizatë trajnuese.
Ky certifikim është i një rëndësie të madhe jo vetëm për ASHNA-në, por edhe për Kosovën, duke qenë se vendi ynë për herë të parë ka një organizatë trajnuese të certifikuar, për ofrim të shërbimit të disa trajnimeve shumë specifike në fushën e ofrimit të shërbimeve të navigimit ajror.
Përmes këtij certifikimi mundësohet edhe vlerësimi i kompetencës së kontrollorëve të trafikut nga ana e instruktorëve dhe vlerësuesve të certifikuar të kompetencës të ASHNA-së.