Afrika e Jugut, vendi me aksidente të larta
Johanesburg, 4 shkurt - Mbas sezonit të pushimeve që solli një numër në rritje aksidentesh fatale rrugore, qeveria e Afrikës së Jugut, po u bën thirrje qytetarëve që të bëjnë më shumë për parandalimin e aksidenteve.
Më shumë se gjysma e aksidenteve kanë lidhje me përdorimin e alkoolit. Afrika e Jugut renditet mes vendeve me sigurinë më të keqe rrugore, ku 40 persona vdesin çdo ditë si pasojë e aksidenteve rrugore.
Është një e premte e zakonshme në Soveto, një qytet në jug të Johanesburgut. Oficerët po bëjnë analizat e gjakut për të matur sasinë e alkoolit, dhe po përballojnë me vështirësi fluksin e njerëzve që vijnë në rajonin e policisë e që duken të dehur.
Në rrugën aty pranë, 15 njerëz u arrestuan në më pak se dy orë pasi po i jepnin makinës nën ndikimin e alkoolit.
Korporata Kombëtare e Trafikut Rrugor thotë se që nga 1 dhjetori deri në 1 janar janë regjistruar 1,279 vdekje nëpër rrugë. Shkaku kryesor mendohet të ketë qënë përdorimi i alkooloit. Sipas saj 40% e vdekjeve kanë qënë raste këmbësorësh të cilët ecin nëpër rrugë të dehur.
Çdo vit, 14 mijë njerëz vdesin në rrugët e Afrikës së Jugut. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se ky vend renditet mes atyre me sigurinë më të dobët rrugore.
Gary Ronald, i Shoqatës së Automobilëve në Afrikëne e Jugut, thotë se qeveria duhet të bëjë një punë më të mirë për të edukuar publikun.
Duhet më shumë informacion, më shumë edukim, jo vetëm në shkolla. Ky edukim duhet të bëhet në hapësirat publike por ne nuk e kemi atë. Do të doja që të kishim programe për edukimin e sigurisë nëpër rrugë në të gjitha kanalet e medias, çdo ditë. Kjo nuk ka ndodhur. Të paktën 20 vitet e fundit.
Alkooli nuk është kërcënimi i vetëm nëpër rrugë.
Në këtë rrugë kryesore që lidh një komunë me qendrën e qytetit, qindra njerëz shkojnë me biçikleta në punë, duke ecur mes makinave.
Ndërsa shtohet numri i njerëzve në Afrikën e Jugut që arrijnë të përballojnë blerjen e një makine, është krijuar një bashkë-ekzistencë e vështirë mes biçikletave dhe makinave në rrugët e bllokuara.
Jam i frikësuar sepse një ditë pata një aksident me një makinë private. Nuk po i jepja shpejt makinës time, por shoferi tjetër u kthye pa dhënë sinjal.
Më parë isha i frikësuar se nuk mbaja helmetë. Tani jam më i sigurt.
Qeveria e Afrikës së Jugut nuk po e injoron këtë problem. Në vitin 2011, ajo nisi një fushatë kombëtare për të përgjysmuar numrin e vdekjeve në rrugë deri në vitin 2020.
Ministri i Transporteve Ben Martins thotë se një element i fushatës është që të ndalen policët e korruptuar, të cilët lejojnë shoferët e pasigurt e pa patentë që të dalin në rrugë me makinat e tyre. Shpesh shoferët ikin pa u gjobitur edhe kur kryejnë shkelje të rregullave, vetëm duke paguar rryshfete.
Ka disa zyrtarë të korruptuar të cilët përfshihen në praktika të dhënies ose shitjes së patentave të paligjshme që ne po përpiqem ti ndalojmë.
Zoti Martins thotë se në probleme të tjera përfshihen shpejtësia, praktikat e rrezikshme të dhënies së makinës si dhe mos vënia e rripit të sigurimit.